Komuna e Prizrenit anulon tenderin për kulmet e familjeve skamnore

Komuna e Prizrenit ka anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizim me material ndërtimor për kulmet e familjeve nevojtare.
Në njoftimin e publikuar në platformën elektronike thuhet se një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit në fjalë.
"Nuk kemi Operator Ekonomik të përgjegjshëm", thuhet në njoftim, tek pjesa dedikuar informatave shtesë, raporton Telegrafi.
Ky tender ishte shpallur në prill të këtij viti, me vlerën e parashikuar prej afër 625 mijë eurove.
Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë 22 maji i këtij viti.
Në njoftimin për anulim, thuhet se në kuadër të këtij aktiviteti të prokurimit është pranuar vetëm një ofertë.
Furnizimi me material ndërtimor për kulme për familjet skamnore është projekt që zbatohet prej vitesh nga Komuna e Prizrenit. /Telegrafi/







































