Kryetari Përparim Rama ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj ndërmarrjes “Ujësjellësi”, për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në infrastrukturën rrugore të kryeqytetit.

Sipas tij, këto ndërhyrje kanë lënë rrugët në gjendje të rënduar dhe të pasigurt për qytetarët.


“Kryeqyteti Prishtina ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj ‘Ujësjellësit’ për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në infrastrukturën rrugore, të cilat kanë rezultuar me lënien e rrugëve në gjendje të mjerueshme dhe të pasigurt për qytetarët”, ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se sipas procedurave në fuqi, çdo intervenim duhet të lajmërohet paraprakisht në komunë, në mënyrë që të garantohet siguria dhe rikthimi i gjendjes së rrugës pas përfundimit të punimeve.

“Sipas procedurave në fuqi, çdo intervenim duhet të lajmërohet paraprakisht në komunë, në mënyrë që të sigurohet zona e punimeve dhe të bëhet sanimi i menjëhershëm i asfaltit pas përfundimit të tyre”, ka shtuar ai.

Sipas njoftimit, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, kjo praktikë ka vazhduar, duke detyruar Inspeksionin e Komunës të veprojë.

“Megjithëse ujësjellësi është paralajmëruar disa herë për respektimin e këtyre procedurave, praktika ka vazhduar, duke detyruar Inspeksionin e Komunës të shqiptojë gjoba në dy raste të ndara”, thuhet më tej në reagim.

Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë me masa të ngjashme ndaj çdo shkelësi, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe rendit në infrastrukturën publike. /Telegrafi/