Pas raportimeve për rrëshqitje të gurëve në rrugën që lidh Pejën me Rugovën, Komuna e Pejës ka reaguar duke shprehur shqetësimin për gjendjen e këtij aksi rrugor.

Zëdhënësi i Komunës, Faik Zekaj, ka deklaruar se megjithëse komuna është e shqetësuar prej kohësh për këtë situatë, mirëmbajtja dhe rregullimi i rrugës nuk janë në kompetencën e saj, por të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.


"Rruga Pejë – Rugovë ka një rëndësi të madhe për qytetarët, turistët dhe zhvillimin ekonomik të zonës, por prej vitesh është në një gjendje të mjerueshme. Fatkeqësisht, kjo paraqet rrezik për qytetarët dhe dëmton imazhin e destinacionit tonë turistik", thuhet në reagim.

Komuna ka theksuar se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për ndërhyrje dhe mirëmbajtje, gjendja e rrugës po përkeqësohet, duke e vështirësuar lëvizjen dhe duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve.

Në pamjet e publikuara, shihet një kamion duke tërhequr zvarrë një shkëmb të madh në mes të rrugës, një tregues i qartë i mungesës së investimeve për sigurinë rrugore.

Komuna e Pejës ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për sanimin e situatës, ndërsa qytetarëve dhe vizitorëve u është kërkuar të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këtë segment rrugor.