Komuna e Mitrovicës largon tezgat dhe mbetjet nga shëtitorja e Liqenit Akumulues
Komuna e Mitrovicës ka zhvilluar një aksion për largimin e tezgave, kioskave dhe mbetjeve të ndryshme përgjatë shëtitores në të dy anët e Liqenit Akumulues.
Sipas njoftimit të komunës, aksioni është realizuar gjatë ditës së sotme nga Drejtoria e Inspekcionit, në prani të Policisë së Kosovës, ku janë larguar edhe frigoriferë, drunj të vyshkur si dhe mbetje të tjera që ndodheshin pranë kësaj zone rekreative.
Autoritetet komunale bëjnë të ditur se këto struktura dhe mbetje kishin qëndruar për vite me radhë dhe ishin vendosur pa leje në hapësirat gjelbëruese pranë shëtitores së liqenit.
Drejtori i Inspektoratit në Mitrovicë, Mujë Igrishta, e ka vlerësuar këtë aksion si të rëndësishëm për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e kësaj zone.
“Aksioni është i rëndësishëm, pasi mbetjet e vendosura përveç që i kanë dhënë shëmtim një atraksioni siç është Liqeni Akumulues, ato gjithashtu kanë dëmtuar gjelbërimin”, ka deklaruar Igrishta.
Sipas Komunës së Mitrovicës, aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në zona të tjera, me qëllim ruajtjen e hapësirave publike dhe përmirësimin e ambientit për qytetarët. /Telegrafi/



























