Komuna e Kamenicës mbyll sezonin e gjuetisë nga 31 janari 2026

Komuna e Kamenicës, përmes Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ka njoftuar se sezoni i gjuetisë në territorin e kësaj komune do të mbyllet më 31 janar 2026.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë në bazë të Ligjit për Gjueti Nr. 02/L-53 dhe ka për qëllim mbrojtjen e faunës së egër, si dhe ruajtjen e ekuilibrit natyror.
Me mbylljen e sezonit, pas datës 31 janar 2026 ndalohet rreptësisht çdo aktivitet i gjuetisë në territorin e Komunës së Kamenicës.
Ky njoftim është i obligueshëm për të gjithë gjuetarët, shoqatat e gjuetarëve dhe shfrytëzuesit e vendgjuetive në këtë komunë.
Nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural u bëhet thirrje të gjitha palëve që të respektojnë këtë vendim, në funksion të mbrojtjes së biodiversitetit dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi. /Telegrafi/



















































