Komuna e Gjilanit kërkon largimin e kiosqeve dhe objekteve të tjera nga sheshi
Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Gjilanit ka njoftuar se pronarët e subjekteve afariste dhe personat fizik që kanë vendosur kiosqe, boksa, lodra apo objekte të tjera lëvizëse në sheshin e qytetit duhet t’i largojnë ato deri më 15 mars.
Inspektorët e Shërbimeve Publike kanë vendosur paraditen e së premtes shirita dhe njoftime mbi këto objekte, duke paralajmëruar pronarët për pasojat në rast mosveprimi.
“Pronarët janë informuar që të largojnë vetë këto gjësende nga hapësirat publike më së largu deri më 15 mars në orën 24:00. Në të kundërtën, pas këtij afati, komuna do t’i largojë me shpenzime që do t’u ngarkohen pronarëve,” kanë bërë të ditur nga Drejtoria e Inspeksionit.
Ky veprim ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe shfrytëzimin e rregullt të hapësirave publike në sheshin qendror të qytetit. /Telegrafi/



























