Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur sot, ndërsa nuk dihet nëse arsyeja për mbledhje ka qenë letra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti drejtuar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku e fton për koalicion LVV-LDK.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, para mediave deklaroi se LDK nuk ka qenë në pritje të letrës, dhe se ata kanë pasur qëndrim të formësuar rreth bashkëpunimit me LVV-në, transmeton Telegrafi.


"Letra i është dërguar kryetarit Abdixhiku, dhe ai e ka ekskluzivitetin të ju tregojë edhe juve se çfarë do të thotë për letrën. Mirëpo, LDK ka tashmë një qëndrim të formësuar sa i përket bashkëpunimit me LVV-në, ne nuk qenë duke pritur letër, që ta bëjmë qëndrimin, ne kemi pasur qëndrim", u shpreh ajo.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i dërgoi letër kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku më 5 maj, duke i bërë ftesë për koalicion. Deri më tash, Abdixhiku nuk i ka kthyer përgjigje zyrtare.

Deputetët kanë dështuar sërish më 5 maj të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pasi LVV-ja nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për kryeparlamentar.

Deri më tash janë bërë 11 përpjekje të pasuksesshme për konstituim.

Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut si e propozuar për kryeparlamentare, ndërkaq PDK dhe AAK po kërkojnë që të ndryshohet propozimi. /Telegrafi/