Koalicionet në Fushë Kosovë para balotazhit, kush me kë po bashkëpunon

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në Fushë Kosovë kanë intensifikuar aktivitetet dhe marrëveshjet politike në prag të balotazhit që do të mbahet më 9 nëntor.
Kandidati i LVV-së për kryetar të komunës, Valon Prebreza, doli i pari në raundin e parë të zgjedhjeve me 45.15 për qind të votave, përkatësisht 9,733 vota. Pas tij renditet kandidati i LDK-së, Besnik Osmani, me 36.66 për qind ose 7,902 vota, raporton Telegrafi.
Meqë asnjëri nuk arriti shumicën e nevojshme për të fituar në raundin e parë, Prebreza dhe Osmani tashmë po përgatiten për një garë të ngushtë në balotazh, që pritet të përcaktojë fituesin e komunës.
Përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se LDK ka arritur marrëveshje për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për raundin e dytë të zgjedhjeve.
“Është arritur koalicioni i madh për të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, që i thotë PO zhvillimit, mirëqenies dhe përparimit. Në këtë frymë bashkëpunimi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ecin bashkë për prosperitetin e të gjithë qytetarëve, për Fushë-Kosovën tonë”, ka shkruar Osmani.
Kjo marrëveshje vjen pavarësisht deklaratës së mëparshme të kandidatit të PDK-së, Rrahim Tërnava, i cili kishte thënë se partia e tij nuk do të hynte në asnjë koalicion. Megjithatë, marrëveshja u zyrtarizua gjatë natës së 26 tetorit.
Përveç PDK-së, LDK ka nënshkruar koalicion edhe me Nismën Socialdemokrate dhe Partinë Liberale Egjiptiane, duke e zgjeruar bazën e mbështetjes për balotazh.
Në anën tjetër, ndonëse pritej që LVV, e udhëhequr nga Prebreza, të bashkohej me partitë opozitare për ta sfiduar LDK-në – e cila e ka udhëhequr komunën për më shumë se dy dekada – kjo gjë nuk ndodhi plotësisht, përcjell Telegrafi.

Vetëvendosje ka siguruar mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me të cilën koalicioni u zyrtarizua vetëm disa ditë pas përfundimit të raundit të parë.
Me këto pozicionime të reja politike, Fushë Kosova pritet të jetë arenë e një gare të ngushtë dhe të ashpër më 9 nëntor, me dy kandidatët kryesorë që sipas rezultateve të 12 tetorit janë pothuajse “kokë më kokë”.
Rezultatet e balotazhit do të përcaktojnë se kush do të marrë drejtimin e kësaj komune strategjike në mandatin e ardhshëm. /Telegrafi/




















































