LAJMI I FUNDIT:

Klubi i Prodhuesve: Taksa rrugore në Rrugën e Kombit, një barrierë shtesë për prodhuesit kosovar

Klubi i Prodhuesve: Taksa rrugore në Rrugën e Kombit, një barrierë shtesë për prodhuesit kosovar

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) shpreh pakënaqësinë dhe është kundër vendimit të Qeverisë së Shqipërisë për vendosjen e taksës rrugore në Rrugën e Kombit. Sipas këtij vendimi të gjitha automjetet që do të kalojnë në këtë rrugë, do të jenë të detyruara të paguajnë taksën e cila ndryshon nga 2.5 euro për motorët, 5 euro për veturat e deri në 22.5 euro për kamionët e tonazhit të rëndë. Por kjo vlerë shumëzohet për dy, pasi paguhet edhe në dalje edhe në hyrje të Shqipërisë.

“Kjo taksë është e lartë, jo proporcionale dhe prodhon kosto shtesë dhe të panevojshme, sidomos për prodhuesit kosovar të cilët eksportojnë në Shqipëri, kjo vetëm sa rrit koston e eksportit për prodhuesit kosovar dhe është edhe një barrierë shtesë në marrëdhëniet tregtare Kosovë-Shqipëri. Vënia e kësaj takse në Rrugën e Kombit është edhe një pengesë për prodhuesit e Kosovës, pengesë kjo që i shtohet pengesave si pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme produkteve, të cilat shkaktojnë vetëm vonesa dhe rrjedhimisht rritje të kostos”, thuhet në reagimin e KPK-së, përcjell Telegrafi.

KPK thotë se taksa është shumë e lartë pasi që mungon siguria në rrugë.


“Kjo taksë është shumë e lartë ku merret parasysh fakti që mungon siguria në rrugë dhe shpesh herë mungon sinjalistika e nevojshme dhe nuk i plotëson të gjitha standardet, ku një pjesë e autostradës është ende e papërfunduar. Po ashtu, krahasuar me çmimet mesatare për kategorinë e kamionëve, kjo taksë është shumë më e lartë. Nëse marrim si shembull krahasues çmimin mesatar të autostradës në Maqedoni ku është rreth 16.5 cent për km, çmimi mesatar i autostradës në Serbi është rreth 14.2 cent për km, kurse në Shqipëri është rreth 20.3 cent për km. Kjo i bie që çmimi për km në autostradën e Shqipërisë të jetë 22.7 për qind me i shtrenjte se në Maqedoni dhe 42.75 për qind më i shtrenjtë se në Serbi. Distanca e autostradës është marr për sektorin Morine-Milot e cila është e gjatë 111 kilometra”, vijon reagimi.

Në fund, KPK kërkon nga institucionet vendore të vendosin kontakte dhe të zhvillojë negociata me Qeverinë e Shqipërisë, sepse ky vendim dëmton rëndë përpjekjet për të fuqizuar shkëmbimet ekonomike dhe tregtare.

“Klubi i Prodhuesve të Kosovës e kupton që kjo rrugë bartë kosto për mirëmbajtje, mirëpo kjo taksë është shumë e lartë në krahasim me kushtet që jo rrugë i ofron. Klubi kërkon nga Ministria e Infrastrukturës që të vendos kontakte dhe të zhvillojë negociata me Qeverinë e Shqipërisë, sepse ky vendim dëmton rëndë përpjekjet për të fuqizuar shkëmbimet ekonomike dhe tregtare, që shpesh herë janë proklamuar si interes strategjik i të dy qeverive”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/