“Kjo është e vetmja rrugë”, Xabi Alonso zbulon çelësin e suksesit të Real Madridit

Trajneri Xabi Alonso ka deklaruar se te Real Madridi të gjithë po “shkojnë në të njëjtin drejtim”, pasi skuadra madrilene siguroi një fitore të rëndësishme morale 2-1 ndaj Alavesit në La Liga.
Pozicioni i Alonsos raportohet se ka qenë temë diskutimi në hierarkinë e klubit vetëm gjashtë muaj pas marrjes së drejtimit të ekipit, por fitorja e së shtunës në stadiumin “Mendizorroza” ka zbutur ndjeshëm presionin mbi ish-mesfushorin.
“Jemi të gjithë bashkë në këtë rrugëtim, skuadra garoi shumë mirë”, deklaroi Xabi Alonso pas përfundimit të ndeshjes.
“Bashkimi është themelor për ne, është e vetmja mënyrë për të pasur stabilitet dhe për të bërë përmirësimet që duam”.
“Jemi shumë të fokusuar në atë që po bëjmë dhe jemi të gjithë së bashku, duke u përgatitur për një ndeshje çdo tre ditë. Kjo frymë duhet të vazhdojë, sepse një ndeshje nuk mjafton. Ka ende një rrugë të gjatë përpara dhe duhet vazhdimësi”.

Fitorja nuk erdhi lehtë për madrilenët, të cilët arkëtuan pikët e plota vetëm falë triumfit minimal 1-2.
Në këtë ndeshje debutoi edhe mbrojtësi i ri Valde, për shkak të pezullimeve të Fran Garcia dhe Alvaro Carreras. Në moshën 19 vjeç e 55 ditë, ai u bë mbrojtësi i tretë më i ri që debuton si titullar me Real Madridin në këtë shekull, pas Raphael Varane dhe Achraf Hakimi.
Valde u bë gjithashtu debutuesi i parë i Real Madridit në La Liga që regjistron pesë ose më shumë ndërhyrje dhe 12 ose më shumë duele të fituara në një ndeshje, që nga Isco në vitin 2013.
“Pësuam gol nga e vetmja situatë ku Valde pati vështirësi. Ua jap meritat lojtarëve për këtë fitore, edhe pse kishim shumë mungesa. Valde debutoi dhe e përgëzoj për paraqitjen e tij”.
Tashmë, Real Madridi do të udhëtojë për t’u përballur me Talaveran e kategorisë së tretë në Kupën e Mbretit të mërkurën, ndërsa tri ditë më vonë do të presë Sevillan në La Liga./Telegrafi










































