LAJMI I FUNDIT:

Kjo është CV e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Gent Cakajt

Kjo është CV e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Gent Cakajt

Propozimi i Gent Cakajt për të marrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme si dhe refuzimi që i bëri kandidaturës së tij presidenti Ilir Meta shkaktoi mjaft debate dhe përplasje Kryeministri-Presidencë. Rama e konsideroi Gent Cakajn si njeriun më të ditur që ka takuar dhe se ai ka lexuar më shumë libra nga të gjithë.

“Gent Cakaj ka lexuar libra më shumë se sa keni thënë fjalë ju të gjithë në dispozicion. CV në e tij ju do ta keni në dispozicion sapo të bëhet ministër. Të jeni të sigurt që zgjedhja e tij është zgjedhja e një shqiptari si unë. Unë e neveris çdo kënd që nënvizon kosovarin si arsye për të kontestuar zgjedhjen. E neveris! Ai është një ndër njerëzit më të ditur që kam takuar në jetën time”, tha Rama pak kohë më parë.

Me delegimin e kompetencave të plota të ministrit nga Rama, në faqen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është publikuar edhe CV e Gent Cakajt. Nga një vëzhgim i CV, rezulton se djali nga Kosova i datëlindjes 1990 është zotërues i 5 diplomave, nga të cilat 1 master dhe 2 Bachelor brenda 3 vitesh.


Në CV e tij Gent Cakaj thotë se ka përfunduar 3 mastera jashtë vendit, konkretisht 2 në Belgjikë në vitin 2014 dhe 2017 dhe 1 master në Hungari në vitin 2015. Por e çuditshmja është studimi 3-vjecar për drejtësi në Prishtinë në vitin 2016, ndërkohë që ishte jashtë vendit.

Pra nëse Cakaj është diplomuar në vitin 2016, logjikisht duhet ta ketë nisur Universitetin në Prishtinë në vitin 2013, cikli 3 vjeçar në Bachelor.

Ndërkohë që Cakaj shkruan në CV që ka përfunduar studimet master në vitin 2015 në Hungari dhe në Belgjikë në vitin 2014. Ndërsa në fillim të CV-së zyrtare, ai shkruan se studimet në Belgjikë i ka përfunduar në vitin 2017.

Nuk dihet nëse ministri ‘de facto’ ka nga ngatërruar datat në CV e tij, pasi logjikisht nuk mund të përfundosh studimet në disa Universitete njëkohësisht brenda një afati të njëjtë kohor.

CV e Gent Cakajt:

Gent Cakaj ka lindur në Prishtinë, më 6 korrik 1990. Gent Cakaj është shkolluar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari.

Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti.

Gent Cakaj mban edhe katër diplomime të tjera në fushat e filozofisë, drejtësisë dhe shkencave politike. Ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015) dhe me gradën Master i Filozofisë nga Instituti i Filozofisë i Universitetit të Leuven-it, në Belgjikë (2014).

Studimet universitare i ka kryer për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit AAB në Prishtinë (2016), si dhe studimet për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës (2012).

Gent Cakaj ka një ekspertizë të thellë në Analiza Politike dhe Politika Krahasuese, në Filozofi Moderne dhe Metafizikë, për të cilat është certifikuar nga Universiteti i Evropës Qendrore në Hungari dhe nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë.

Gjatë viteve të shkollimit, Gent Cakaj është angazhuar si konsulent dhe analist për çështje politike, si dhe është autor e bashkë-autor i disa punimeve në këto fusha, botuar nga shtëpia botuese e Universitetit të Pitsburgut në SHBA (2016) dhe së shpejti edhe nga shtëpia botuese prestigjioze Brill (2019).

Në janar 2018, Gent Cakaj i është bashkuar Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë si këshilltar politik, përgjegjës kryesisht për procesin e integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Në të njëjtën kohë, ai ka shërbyer edhe si Koordinator Kombëtar i Republikës së Shqipërisë për Zonën Rajonale Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Në qershor 2018, Gent Cakaj emërohet Zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punë të Jashtme, përgjegjës për çështjet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe Koordinator Kombëtar i procesit “screening” për hapjen e negociatave të Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/