LAJMI I FUNDIT:

Kishte kërkuar përjashtimin e kolegjit të Apelit, gjykata refuzon kërkesën e deputetit që u dënua për deklaratat e tij fyese për masakrën e Reçakut

Kishte kërkuar përjashtimin e kolegjit të Apelit, gjykata refuzon kërkesën e deputetit që u dënua për deklaratat e tij fyese për masakrën e Reçakut

Është refuzuar kërkesa e ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), aktualisht deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, për përjashtimin e kolegjit të Gjykatës së Apelit në rastin e tij.

Ai ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë, pasi ishte shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Lajmin për refuzimin e kërkesës në fjalë e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.


Ivan Todosijeviq përmes mbrojtësit të tij, avokatit Nebojsha Vlajiq, në prill të këtij viti kishte kërkuar përjashtimin e kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, përkatësisht përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve shqiptar.

Në këto rrethana, seanca e paraparë të mbahej në Gjykatën e Apelit me 28 prill 2021 ishte shtyrë, derisa kryetari i kësaj gjykate të vendoste për kërkesën në fjalë, e cila tashmë është refuzuar.

Lidhur me ecurinë e procedurës deri në refuzimin e kësaj kërkese nga ana e kryetarit të Apelit dhe kërkesave tjera të mbrojtjes së Todosijeviq, “Betimi për Drejtësi” është informuar edhe nga Gjykata Supreme.

Zëdhënësja e kësaj gjykate, Antigona Uka ka bërë të ditur se mbrojtësi i të pandehurit ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarëve të kolegjit.

“Për shkak se në aktgjykimin e kundërshtuar me ankesë është konstatuar se i pandehuri ka dëmtuar ndjenjat e tërë popullit shqiptar, e meqë të gjithë janë shqiptar në kolegj, edhe gjyqtaret janë të dëmtuar, ( sipas kodit është përcaktuar se kur një gjyqtar është i dëmtuar ai s’mund ta gjykojë atë çështje)”, thuhet të ketë qenë arsyetimi i mbrojtësit të Todosojeviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në këtë përgjigje thuhet se për shkak se lidhur me kërkesën për përjashtimin e gjyqtarëve duhet të vendos kryetari i Gjykatës së Apelit, i cili është i nacionalitet shqiptar, mbrojtësi ka kërkuar edhe përjashtimin e tij dhe të kryetarit të Gjykatës Supreme, i cili vendos lidhur me përjashtimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit.

“Ndaj, për kërkesën e pranuar ne Gjykate Supreme lidhur me përjashtimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, Kolegji i kryesuar nga nënkryetarja e Gjykatës Supreme, në seancën e kolegjit të mbajtur më 2 qershor 2021, me aktvendimin PN.II.nr.8/2021 e ka hedhur këtë kërkesë si te papranueshme”, thuhet tutje në përgjigje.

Zëdhënësja Uka ka bërë të ditur se pas këtij vendimi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, me aktvendimin GJA.nr.117/2021, e ka hedhur si te papranueshme kërkesën e mbrojtësit të pandehurit, avokatit Nebojša Vlajić, për përjashtimin e Kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Seanca në Gjykatë të Apelit për këtë rast pritet të mbahet me 24 qershor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Todosejviq ishte dënuar nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ai ka qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxituar dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarja dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Sipas akuzës, me datë 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda  në Republikën e Kosovës.

Në trend Lajme

Më shumë
Një vajzë gjendet pa shenja jete në tarasën e banesës në Pejë

Një vajzë gjendet pa shenja jete në tarasën e banesës në Pejë

Përplasje mes Richard Grenell dhe Alfred Lelës pas akuzave për lobim në favor të Ramës

Përplasje mes Richard Grenell dhe Alfred Lelës pas akuzave për lobim në favor të Ramës

Lajme
Palët nuk lëvizin nga qëndrimet, Haxhiu: Nuk jam optimiste që situata do të ndryshojë në seancën e nesërme

Palët nuk lëvizin nga qëndrimet, Haxhiu: Nuk jam optimiste që situata do të ndryshojë në seancën e nesërme

Politikë
Rikonstruohet vendi i ngjarjes në villën ku u vra polici në Zllatar

Rikonstruohet vendi i ngjarjes në villën ku u vra polici në Zllatar

Drejtësi
Edhe dy ditë afat për nxjerrjen e dokumenteve të Kosovës mbi bazën e atyre serbe

Edhe dy ditë afat për nxjerrjen e dokumenteve të Kosovës mbi bazën e atyre serbe

Lajme
Gjendet e vdekur një grua në tarracën e banesës në Pejë

Gjendet e vdekur një grua në tarracën e banesës në Pejë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori