Në prag të festave të nëntorit në Shqipëri, Kisha Katolike u ka kërkuar presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, hartimin dhe miratimin e një ligji që do ta ndalonte përdorimin e simboleve komuniste.
Ky ligj parasheh edhe dënim për atë që përshkruhet si “krim i apologjisë”, që do të thotë ndalim me ligj i “glorifikimit” të diktatorit Enver Hoxha dhe komunizmit.
Kisha Katolike në Shqipëri kërkon që të ndiqet shembulli i Italisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë ligje për ndëshkimin e fashizmit dhe nazizmit.
Kjo kërkesë është bërë në prag të festave të nëntorit – Ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë. Ky debat është nxitur në këtë periudhë kohore edhe gjatë viteve paraprake, pasi që në përvjetorë të tillë shfaqen shpeshherë simbole komuniste, si portretet e diktatorit Enver Hoxha apo përshëndetja me grusht.
Kisha Katolike, gjithashtu, kërkon që kampet apo burgjet e komunizmit të kthehen në muze, të rishkruhen tekstet shkollore të historisë dhe të kufizohen filmat shqiptarë të prodhuar gjatë diktaturës komuniste që promovonin atë periudhë.
Kisha nuk kërkon ndalimin e tyre, por kërkon të ketë një parashkrim apo sqarim për publikun për kohën e prodhimit të filmit dhe faktin që ka përmbajtje propagandistike komuniste.
Një ndër kërkesat e Kishës Katolike është edhe që “të persekutuarit politikë dhe të mbijetuarit nga burgjet të kenë shpërblimin e përshtatshëm” dhe të përcaktohen qartësisht rregullat për dekoratat, titujt e nderit dhe medaljet në mënyrë që të shmanget vlerësimi dhe lartësimi i funksionarëve të organeve të diktaturës komuniste.
Ky diskutim ishte nxitur qysh në vitin 2015, kur drejtues të lartë të diktaturës komuniste – personazhe që kishin torturuar figura të njohura si At Zef Pëllumbin – përfituan nga dekoratat që u shpërndanë për 70-vjetorin e çlirimit të vendit.
Atëkohë, Qeveria e Shqipërisë i kishte tërhequr dekoratat dhe vetë kryeministri propozoi një ndryshim ligjor që këto ngjarje të mos përsëriteshin. Megjithatë, ky ndryshim ligjor u harrua dhe nuk kaloi kurrë për miratim në Kuvend.
Ish-të përndjekurit: Politika duket se përpiqet t’i fshehë vuajtjet në komunizëm
Kryetari i Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e ish-të Burgosurve Politikë, Besim Ndregjoni, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo kërkesë e Kishës Katolike pasoi një takim që përfaqësues të ish-të përndjekurve patën në Vatikan me Papa Françeskun.
“Bashkë me një grup pjesëtarësh të revoltës së ish-burgut komunist të Spaçit, të cilët janë ende në jetë, i dëshmuam Papës mbi kalvarin e vuajtjeve të tyre në kohën e diktaturës komuniste. I dorëzuam dokumente të përndjekjes komuniste dhe dëshmi për vuajtjet në burgjet komuniste”, thotë Ndregjoni.
Ai shton se Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist që nuk ka një ditë përkujtimi për viktimat e atij sistemi. Për këtë, ai fajëson politikanët.
“Klasa politike në Shqipëri, pa dallim, ka bërë shumë pak për ish-të përndjekurit politik. [Politikanët] nuk kanë bërë përpjekje për t’i dënuar krimet e komunizmit, në institucionet tona ka ende bashkëpunëtorë të ish-sigurimit të shtetit”, thekson Ndregjoni.
“Duket sikur ka përpjekje që të ketë një heshtje ndaj sakrificave të antikomunistëve shqiptarë, të vuajtjeve të mijëra njerëzve. Është koha që shteti shqiptar ta ndërtojë Murin e Kujtesës për gjashtë mijë të zhdukurit në komunizëm”, shton ai.
Historianët mbështesin kërkesën e Kishës Katolike
Në mesin e kërkesave të Kishës Katolike është që librat shkollor të lëndës së Historisë të rishkruhen për ta “dokumentuar të vërtetën e komunizmit në Shqipëri”.
Në vitin 2015, Shqipëria kishte bërë një reformë të teksteve shkollore. Megjithatë, historianët mendojnë se ka ende vend për përmirësim. Historiani Beqir Meta thotë për Radio Evropa e Lirë se i sheh të drejta të gjitha shqetësimet që ngre Kisha Katolike.
“Shteti shqiptar ndër vite nuk ka pasur dëshirë për të inkurajuar studimet për komunizmin. Ka problematika që lidhen me rishikimin e historisë, ka disa emërtime rrugësh, sheshesh, shkollash, që janë reminishenca të komunizmit dhe duhen ndryshuar”, thotë ai.
Sipas tij, reforma e mëparshme e teksteve shkollore “nuk e ka arritur qëllimin”. Ai përkrah edhe kërkesën e Kishës për filmat e prodhuar gjatë regjimit komunist.
“Sigurisht që duhet të ketë një rishikim, një seleksionim të filmave, pjesa më e madhe e të cilëve bartin propagandën komuniste. Ata filma janë pasuri për arkivat, por nuk mund të ketë një kanal të dedikuar për ta, siç e ka televizioni publik shqiptar. Duhen shoqëruar me logo, me kritikë”, thotë Meta.
Si autor dhe redaktor përgjegjës i botimit special të Institutit të Historisë me pesë vëllime “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, Meta thekson se vitet 1920-1924 janë më të prekurat nga ideologjia komuniste.
Për filmat e prodhuar në kohën e komunizmit, ka pasur edhe më herët propozime nga parti të opozitës dhe Instituti për Krimet e Komunizmit që kërkojnë ndalimin e tyre. Komuniteti i artistëve ka kundërshtuar këto propozime duke argumentuar se, si prodhime kinematografike, këta filma bartin vlera për arritjet e aktorëve, dhe si të tilla nuk duhen ndaluar, pasi kjo do të ishte censurë ndaj artit.
Qytetarët shprehen pro rishkrimit të historisë, të ndarë për ndalimin e filmave
Edhe qytetarët duan që historia që u mësohet brezave të rinj të rishkruhet, ndërsa për ndalimin apo jo të filmave të prodhuar në atë kohë, janë të ndarë.
“Unë e kam jetuar atë kohë. Edhe pa folur asgjë, të spiunonin. Historia duhet të rishkruhet se nuk thotë të drejtën. Edhe filmat të ndalohen, pse duhen dhënë? Propagandë kanë qenë të gjithë filmat”, thotë Gëzim Sallaku, pensionist.
Ndërkohë, një tjetër qytetar, Osman Murrja, mendon se filmat nuk duhen ndaluar sepse thotë se duhet që artistët e asaj kohe të vlerësohen.
“Filmat e kanë treguar realitetin si për Enverin, si për Kishën… nuk kanë pse të hiqen”, thotë Murrja.
Për një ish të përndjekur politik, Agron Talo, është e rëndësishme që vuajtjet e tij si dhe ato të tjerëve gjatë kohës së komunizmit, të mos harrohen.
“Politika duhet të ishte pastruar nga mbetjet e komunizmit që në vitin 1991. Duhet të ketë masa për ata që na dalin në festën e çlirimit me portretin e diktatorit. Kam vuajtur dhjetë vjet në burgjet e Spacit dhe të Qafë-Barit. Dhe, dua që këto vuajtje t’i mësojnë brezat që do të vijnë përmes ndryshimeve në tekstet e Historisë”, thotë Talo.
Deputetja Pampuri: Politika u ka borxh të përndjekurve politikë
Që nga viti 2017, Partia Demokratike (PD) ka folur për nevojën e një ligji që i dënon ata që përdorin simbole të komunizmit. Vitin e kaluar, kjo parti e prezantoi një ligj të tillë në Parlament, por kjo nismë nuk u realizua asnjëherë.
Deputetja demokrate, Orjola Pampuri, thotë për Radion Evropa e Lirë se politika ua ka borxh ish-të përndjekurve këtë ligj.
“Me ligjin për dekomunistizimin u japim fund përpjekjeve politike për ta falsifikuar historinë e regjimit komunist. Politika nuk ia ka dalë të ndërtojë një raport të drejtë me historinë tonë 45-vjeçare. Është për të ardhur keq që në këto ceremoni zyrtare shihen individë që në prani të zyrtarëve të lartë shfaqin simbole të komunizmit”.
“Ky projektligj synon ndalimin e simboleve të komunizmit dhe të përfshirjes në institucione dhe në politikë të personave të lidhur me ish-sigurimin e shtetit. Ky është një borxh që politika, dhe në veçanti PD-ja, ua ka ish-të përndjekurve”, thekson Pampuri.
Më 21 tetor të një viti më parë, Kuvendi i Shqipërisë i ka hapur rrugë riverifikimit të të gjithë personave të dyshuar si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit. Ligji parasheh hapjen e dosjeve, deklasifikimin e të gjitha dokumenteve nga 29 nëntori 1944 deri më 2 korrik 1991, që gjenden në Arkivin e Shtetit. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

Ramadani: Shpresim Uka ka dhënë deklarata të pavërteta, kam incizuar një bisedë katërorëshe me të në Merdar

Analistët komentojnë "ofertën" e Limajt për Kurtin: Vetfaktorizim apo hapje e lojës politike?

Publikohet video e rrallë e komandantit legjendar, Adem Jashari

Ekspertët e sigurisë: Ka foto e prova ndaj dy të akuzuarve për spiunazh, që janë të mjaftueshme për gjykatën

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania