Këshilli Kombëtar i Shkencës ka mbajtur mbledhjen e rregullt në Universitetin “Ukshin Hoti”

Këshilli Kombëtar i Shkencës ka mbajtur mbledhjen e rregullt në hapësirat e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren ka njoftuar kjo e fundit.
Anëtarët e këtij Këshilli kanë zhvilluar takimin e tyre nën udhëheqjen e kryetares Myzafere Krasniqi – Limani.
Gjithashtu kanë zhvilluar një takim me Rektorin e Universitetit, Mentor Alishani, raporton Telegrafi.
Sipas njoftimit të Universitetit “Ukshin Hoti” gjatë takimit, janë diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e politikave shkencore në vend, forcimin e rolit të Këshillit në orientimin strategjik të kërkimeve shkencore, si dhe bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë për promovimin e ekselencës akademike dhe inovacionit.
“Rektori Alishani ka shprehur mirënjohjen për vizitën dhe ka theksuar rëndësinë që ka një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet universiteteve dhe Këshillit Kombëtar të Shkencës për krijimin e një klime të favorshme kërkimore dhe akademike në Kosovë”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Kjo mbledhje, sipas njoftimit, është dëshmi e përkushtimit të Këshillit për të qëndruar pranë institucioneve të arsimit të lartë dhe për të ndihmuar në hartimin e politikave të qëndrueshme në fushën e shkencës dhe teknologjisë. /Telegrafi/














































