Site icon Telegrafi

Kërcënohet prokurori i krimeve të rënda, Rasim Maloku, reagon Zyra e Kryeprokurorit të shtetit

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, është njoftuar se prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, nëpërmjet një mesazhi telefonik ka pranuar sërish kërcënime me likuidim fizik të familjarëve të tij.

Në reagimin për media të Zyrës së Kryeprokurorit thuhet se këto kërcënime serioze ndaj prokurorit Maloku, vijnë si rrjedhojë e veprimeve të ndërmarra nga ai gjatë ushtrimit të detyrave si prokuror.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se kërcënimet ndaj prokurorit Maloku, janë duke u trajtuar seriozisht nga organet kompetente dhe me nivelin e duhur të urgjencës, në mënyrë që kërcënuesit të dalin sa më parë para drejtësisë. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndron fuqishëm afër prokurorit Maloku, duke ia ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e tij, në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e kryesve të veprave penale”, thuhet në reagim.

Po ashtu, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, thekson se kërcënimet ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin asnjë hap dhe në asnjë mënyrë synimet dhe përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor. /Telegrafi/

Exit mobile version