Të jesh i padukshëm për armikun - pjesëtarët e FSK-së gjatë ushtrimeve të kamuflimit në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog

Zëri i tyre jehonte në malet e Istogut, e frymëzim për këngë e kishin sakrificën e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këta janë ushtarët e regjimentit të dytë - këmbësori të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët në të ftohtin e fillim shkurtit, përgatiteshin për festën e madhe, përvjetorin e 14-të të Pavarësisë së Kosovës.
“Shtëpi e kam fushën dhe malin, inspirim për punën e kam Adem Jasharin”, ishin vargjet me të cilat ushtarët e rinj të Kosovës mbanin lartë motivin për punën e madhe që i pret çdo ditë.
E dashurinë për uniformën e krenarisë shumica nga ta e kanë të trashëguar.

Janë djem dëshmorësh, janë vëllezër martirësh, janë gardianët e pavarësisë e sovranitetit të shtetit.
Secili nga ta ka një rrëfim për fëmijërinë, familjen, shkollimin, e sfidat e jetës, por mbi të gjitha e kanë dashurinë për atdheun.

Para nisjes drejt shtigjeve të maleve, secili duhet të jetë i përgatitur, i pajisur mirë, i gatshëm e vigjilent.
Besimi i palëkundur në njëri-tjetrin, e forcon edhe më shumë lidhjen mes ushtarëve.

Ata bëhen një, sa herë që vjen urdhri për tu rreshtuar para flamurit të Republikës.

Të jesh i padukshëm për armikun në rast lufte, është njëra nga të shumtat aftësi që duhet të ketë një ushtarë.
Ta humbë siluetën, formën, të përshtatet me ngjyrat, e më e rëndësishmja të mos shkëlqej, mund të jetë edhe pjesa më e vështirë për të rinjtë që u shkëlqen fytyra në shërbim të atdheut.

Rreshteri i FSK-së Visar Havolli me togën prej nëntë ushtarësh, gjatë ditës kur ekipi i Telegrafit ishte në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog, po ushtronin pikërisht “kamuflimin”.

Ushtarët e regjimenti të dytë-këmbësori të FSK-së në këtë kazermë ishin sy e vesh para Havollit, i cili i përsëriti para ushtarëve të tij se si duhej kamufluar sa më mirë në rast rreziku.

Të gjithë ishin të gatshëm, në pozicione dhe prisnin urdhra të tjerë.

Në mesin e tyre ishte edhe një snajperist, të cilin e karakterizonte qetësia, qëndrimi stabil, e vigjilenca për ta pritur i pari, nga larg rrezikun.

Të tjerët, secili me tipare të veçanta, po vrojtonin të gjitha pjesët përreth maleve të Istogut.

Po vazhdonte kënga e “ujkut”, për motivim, me vargje të thurura për tokat shqiptare. /Telegrafi/























































