“Kemi ëndrra të mëdha”, Corinthians i hap derën Cristianos Ronaldos

Saga e Cristiano Ronaldos ka marrë një tjetër kthesë, këtë herë jashtë botës së futbollit evropian. Sulmuesi portugez aktualisht është në një rrugë pa krye me dyert e klubeve elitare të Evropës të mbyllura, por brazilianët e Corinthians e duan atë.
Situata e Ronaldos në Manchester United duket e paqëndrueshme. Duke u përballur me perspektivën për të luajtur futboll në Ligën e Evropës për herë të parë që nga sezoni 2002/03, sulmuesi është i etur për të gjetur një dalje nga Old Trafford.
Me Ronaldon që deklaroi publikisht se dëshiron të largohet nga klubi i Ligës Premier, ai ka marrë oferta nga e gjithë bota.
U fol për një ofertë shumë milionëshe nga Katari, megjithëse kjo u hodh poshtë shpejt, dhe tani duket se gjigantët brazilian Corinthians janë të interesuar për nënshkrimin e sulmuesit.
Është presidenti i klubit Corinthians, Duilio Monteiro Alves, i cili i dërgoi Cristianos një mesazh shumë publik.
“Është e vërtetë, unë po ëndërroj shumë. Ky është Corinthians! A nuk janë Willian dhe Renato Augusto këtu?”, ka thënë fillimisht Duilio Monteiro Alves.
“Në futboll gjithçka është e mundur dhe unë kam detyrimin të bëj më të mirën për Corinthians”.
“A është e mundur? Nuk e di. Nuk e kemi provuar ende, nuk e kemi shqyrtuar, por po e mbajmë një sy. Imagjinoni nëse ai papritmas dëshiron të luajë në Brazil”, përfundoi presidenti i Corinthians. /Telegrafi/





































