Deputeti i pavarur i Parlamentit të Kosovës, Gëzim Kelmendi, ka thënë se është e drejtë e tij të mendojë se Perandoria Osmane nuk ishte pushtuese, porse shqiptarët kanë bashkësunduar me osmanët.
“Është e drejtë e imja të mendoj se perandoria osmane nuk ka qenë pushtuese”, ka thënë Kelmendi në Info Magazine të Klan Kosova.
“Qëllimi i osmanëve në shekullin XIV nuk ka qenë shkatërrimi i identiteteve kombëtare; ka qenë sjellja e islamit. Prandaj, jam mirënjohës se falë tyre e kemi të ruajtur identitetin kombëtar dhe nuk i konsideroj pushtues. Ne kemi bashkësunduar me Perandorinë osmane”, ka pohuar Kelmendi.
Ai ka pasur kritika edhe me postimin e presidentit Hashim Thaçi, për 549-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
“Unë kam reaguar ndaj postimit të presidentit, pasi ai pas gjithë asaj pritje që i ka bërë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nuk ka qenë e drejtë ta bëjë postimin se osmanët kanë qenë pushtuese dhe Skënderbeu ka bërë luftë të paepur kundër osmanëve”, ka thënë ai.
Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në të njëjtin emision ka thënë se Gëzim Kelmendi po do të bëhet “më turk se turqit”.
Ai ka deklaruar se Perandoria Osmane patjetër që ka qenë pushtuese, ndërsa ka kërkuar nga Kelmendi që të mos e barazojë këtë perandori me Turqinë e sotme.
“Edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Adem Jashari janë nisur nga flamuri dhe idealet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, ka thënë ai. “Ti ke marrë rolin e zëvendësit të Perandorisë Osmane. Më pas e merr rolin e pushtuesit serb dhe kur nuk ka argumente profesionale lëshohesh në fyerje”. /klankosova.tv/