LAJMI I FUNDIT:

Kelmendi “lufton” për njohjen e pavarësisë

Kelmendi “lufton” për njohjen e pavarësisë

Pjesa e pasme e veshjes së saj si xhudiste do të shfaqë tri shkronja, që përfaqësojnë më shumë sesa thjesht një emërtim i origjinës së saj: një deklaratë e guximshme identiteti në një rajon si Ballkani, ku luftohet ende për pavarësi.

“Njohja nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik ishte gjëja më e bukur që mund t’i kishte ndodhur Kosovës”, ka thënë dy herë kampionja e botës në xhudo për CNN, në formatin “Human to Hero”. “Jo vetëm për sportin që unë përfaqësoj, por për vendin në tërësi. Kjo, sepse tashmë atletët dhe të rinjtë mund të ëndërrojnë të jenë pjesë e Olimpiadave dhe të përfaqësojnë Kosovën”.

Kelmendi garoi në Olimpiket e Londrës në vitin 2012, por me flamurin shqiptar. Në atë kohë, trajneri i saj thoshte se simbolika “ALB” është e përkohshme, sepse lojërat e tjera do të paraqiteshin me “KOS”, edhe pse Kosova kishte vetëm pak kohë që ishte shkëputur e fundit nga ish-Jugosllavia, për të garuar me të drejta të plota si vend.


“Është një nder për mua, sepse do të jetë hera e parë që Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike. Do të jem pikërisht unë, që do të mbaj atë flamur në duar”, tha xhudistja 24-vjeçare. “E kam ëndërruar prej një kohe të gjatë diçka të tillë, më në fund do të bëhet realitet”.

Kur Kelmendi fitoi titullin e parë si kampione e Botës në Rio de Janeiro, në vitin 2013, ai trofe ishte i pari edhe për Kosovën që u njoh nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos vitin e kaluar. Por, kur kampionia e botës mbrojti sërish titullin në peshën 52 kg, në Rusi gjatë vitit të kaluar, Kelmendi u detyrua të garonte me një veshje me akronimet “IJF”, për shkak se vendi organizator – Moska, që mbështet pretendimet e Serbisë për territorin e Kosovës, – refuzoi të njihte vendlindjen e saj.

Fitorja e saj ishte një mosbindje e guximshme në një botëror të ndjekur edhe nga udhëheqësi rus, Vladimir Putin, i cili edhe vetë mbante veshur një veshje xhudoje me rrip të zi.

“U ndjemë shumë keq, por ishim të motivuar të arrinim rezultate pozitive dhe ia dolëm mbanë. Majlinda u bë kampione e dyfishtë e Botës pikërisht në Rusi!”, tha trajneri i saj Driton Kuka. Krenaria e tij për arritjet e xhudistes është shumëfishuar disa herë, edhe për shkak të zhgënjimit të tij personal për të pasur një karrierë premtuese në xhudo, të ndërprerë në mes nga konfliktet e Ballkanit.

Kuka, 6 herë kampion kombëtar, ka qenë i gatshëm të garonte për Jugosllavinë në Olimpiket e vitit 1992, por Kosova u veçua si federatë për shkak të sulmeve të Serbisë në rajonin e populluar kryesisht nga shqiptarë. “Karriera ime mori fund në moshën 20-vjeçare. Isha më i miri në kategorinë time”.

Jugosllavia, për pasojë të veprimeve të saj, u pezullua nga Lojërat e Barcelonës edhe për shkak të sanksioneve të vendosura nga Kombet e Bashkuara, ndërkohë që vendlindja e Kelmendit, Peja, u duk e asgjësuar gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.

Ndihma e dhënë nga familja Kuka ishte vendimtare në rilindjen e Pejës, një qytet i vendosur në një rajon malor piktoresk pranë kufirit me Malin e Zi. Gjëja më e rëndësishme ishte “dojo”-ja e ndërtuar prej tyre, aty ku stërviteshin të rinjtë e qytetit.

“Së bashku me dy vëllezërit e mi më të rritur kemi stërvitur këtu të rinj që synonin të bëheshin xhudistë. Ne e adhurojmë këtë sport”, tha Kuka. “Donim me çdo kusht që të arrinim rezultate, në mënyrë që ta bënim vendin tonë krenar”.

Në vitin 2000, në moshën 8-vjeçare, Kelmendi vizitoi “dojo”-në me motrën e saj dhe një shok. “Nuk e kuptoja se çfarë ndodhte atje, por pas 3 javësh stërvitjeje, ne shkuam në një kompeticion në Sarajevë”, thotë xhudistja pejane. “Pashë shumë vajza të përqafonin këtë sport dhe bëra shumë miq e mikesha atje. Mendova se ishte momenti i përshtatshëm për ta dashuruar xhudon”.

“Trajneri im dhe unë do të shkojmë sërish në Olimpiadë. Kushdo mund të thotë se ai ëndërron shumë, por ai është person tepër punëtor, që punon papushim dhe për të nuk ka asnjë problem që nuk ka zgjidhje”, thotë Kelmendi.

Kelmendi shprehet se xhudoja shfaq një anë tjetër të sajën, një egërsi e fokusuar së tepërmi që pushton kundërshtaret e saj me një eficencë vrastare. “Njerëzit thonë se nuk më imagjinojnë dot në xhudo, apo të jem aq agresive, sepse u dukem tepër e qetë dhe e butë – thotë Majlinda. – Megjithatë, përmes xhudos unë u bëra dikushi. Madje nuk e kam ndjekur këtë sport për t’u pasuruar, as për t’u bërë e famshme. E bëj vetëm sepse ashtu e ndiej, e dashuroj dhe më bën të ndihem speciale”.

Për Kelmendin, e cila do të rikthehet në garim për të mbrojtur titullin kampion të Botërorit të gushtit në Kazakistan, një tjetër sukses në Brazil do të thoshte më shumë sesa një medalje. “Ndihem aq mirë, saqë për një apo dy ditë mund t’i bëj shqiptarët e Kosovës të qeshin, të jenë të lumtur dhe të harrojnë problemet e shumta të përditshme që hasim atje”. Për Kukën, udhëtimi në Rio de Janeiro nënkupton faktin se, të gjitha vitet e punës së tij tashmë kanë dhënë frytet. “Do të jetë dita më e bukur e jetës sime”, përfundoi ai