KEDS-i përkrah shkollat në rritjen e cilësisë në arsim

KEDS-s përveç që merret me furnizim të energjisë elektrike, kontribuon edhe në ngritjen e cilësisë në arsim. Kjo kompani në periudha të ndryshme kohore, ka përkrahur shumë shkolla në mbarë vendin. Përveç me biblioteka dhe donacione të librave, KEDS ka përkrahur shumë shkolla me kompjuterë, në mënyrë që nxënësit ta kenë mundësinë për të mësuar teknologjinë informative edhe praktikisht. Zyrtarët e KEDS-it kanë treguar se deri më tani kanë përkrahur 12 shkolla. Sipas tyre, ngritja e cilësisë në arsim ka rëndësi të madhe për ta, por edhe për Kosovën në përgjithësi. Drejtoresha për Komunikime në KEDS, Naxhije Pajaziti-Arifaj, ka treguar se si kompani e marrin me seriozitet përgjegjësinë shoqërore korporative dhe vazhdimisht kanë ndihmuar komunitetin në fushat ku kanë pasur më së shumti nevojë.

“Deri më tash kemi përkrahur 12 shkolla të ndryshme me kompjuterë, në Junik, dy fshatra të Gjakovës, Podujevës, disa fshatra në Deçan dhe në Deçan, Suharekë, Skenderaj, etj. Në këto shkolla janë dhuruar rreth 150 kompjuterë të rinovuar duke krijuar kështu në secilën prej tyre laboratorë të informatikës”, ka thënë Pajaziti-Arifaj. Përveç kompjuterëve, KEDS-i sipas saj, ka përkrahur disa shkolla edhe me libra.






















































