Telegrafi

KB RTV 21 drejt shuarjes?

Burime të gazetës të afërta me klubin bëjnë të ditur se drejtuesit prishtinas kanë vënë para vetës dy opsione. I pari është që ta shuajnë klubin tani, ndërsa i dyti që të vazhdojnë garat vetëm me lojtarë vendorë deri në muajin qershor, transmeton Telegrafi.

“Në klub është biseduar për të vazhduar garat vetëm me vendorë, por po flitet edhe për shuarje. Asgjë nuk është definitive, ndërsa pritet që drejtuesit ta mbajnë një mbledhje nesër (sot) për t’i qartësuar gjërat”, deklaroi burimi i Arenas. Gazeta ka provuar të kontaktojë gjatë të dielës me kreun e ‘Teleboysave’, Leart Kelmendin, sikurse edhe me drejtorin sportiv, Lekë Kelmendi, e trajnerin, Arben Krasniqi, por një gjë e tillë ishte e pamundur, pasi ata nuk u përgjigjën.

Të kujtojmë se ky është viti i dytë i 21-shit në garat e basketbollit kosovar, duke qenë klubi që i dha freski elitës. Në vitin e parë në Superligën kosovare, RTV 21-shi hyri në ‘play off’, duke lënë jashtë kampionen në fuqi, Trepçën. E, këtë stinor ata nuk treguan formën e stinorit të kaluar, teksa për momentin mbajnë pozitën e parafundit në renditjen e ETC Superligës me 17 pikë, një më shumë se pozita e fundit të cilën e mban Kastrioti. /Arena/Telegrafi/