Duke folur para gazetarëve në një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Aders Fogh Rasmussen të hënën, Karzai tha se Pakistani nuk “ka ndërmarr hapa të nevojshëm” të ndihmojë fqinjin e tij, Afganistanin, të gjejë një zgjidhje paqësore për kryengritjen talebane.

Ai tha se sulmet e përgjakshme të ndodhura kohëve të fundit ndaj komunitetit shiit në qytetet e Pakistanit në Quetta dhe Karachi, ndikojnë që situata të del jashtë kontrollit dhe se të dy shtetet tashmë “janë duke u djegur në të njëjtën flakë”.


Karzai gjithashtu tha se deklaratat e klerikut kryesor të Pakistanit, tregojnë që Islamabadi nuk është i sinqertë në luftën e tij kundër terrorizmit, transmeton “Evropa e Lirë”.

Javën e kaluar, Tahir Ashrafi, kreu i këshillit pakistanez të klerikëve tha se, sulmet vetëvrasëse në Afganistan janë të drejta pasi që ky shtet është pushtuar nga trupat e NATO-s.

Sot për vizitë në Afganistan po qëndron sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i cili po takohet me zyrtarët e këtij shteti. /Telegrafi/