Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, kardiologu Daut Gorani ka folur për ndikimin e stresit në shëndetin e zemrës dhe mënyrën se si hormoni kortizol ndikon në organizëm.

Sipas tij, stresi është një ndër faktorët më të rrezikshëm për shëndetin kardiovaskular, pasi nxit një zinxhir reaksionesh hormonale që mund të përfundojnë me pasoja serioze për zemrën.




“Stresi shkakton prodhimin e kortizolit, dhe kortizoli është një hormon që aktivizon në mënyrë zinxhirore hormone të tjera në organizëm, gjë që mund të çojë deri te aksidentet kardiovaskulare", shpjegoi Gorani.

Mjeku tregoi edhe një rast të rrallë që ka hasur gjatë këtij viti: një djalosh 15-vjeçar që vuante nga hiperkortizolemia, pra prodhimi i tepërt i kortizolit në trup.

“Pediatri më kërkoi t’i bëja një koreonografi, dhe u tmerrova kur pashë se të tri arteriet koronare të atij djaloshi ishin të ngushtuara. Ai nuk ishte duhanpirës, nuk kishte obezitet dhe asnjë faktor tjetër të njohur të rrezikut, por kishte nivel shumë të lartë të kortizolit. Ky ishte një problem i lindur, me bazë gjenetike”, tha Gorani.

Sipas kardiologut, rasti tregon qartë se hiperkortizolemia mund të shkaktojë dëmtime serioze në sistemin kardiovaskular, edhe në moshë shumë të re.

Ai shtoi se në rastet kur kortizoli lirohet si pasojë e stresit të përditshëm, ndodh një “efekt zinxhir” që përfshin aktivizimin e qelizave, rritjen e adrenalinës dhe përfundimisht ngushtimin e arterieve të zemrës.

“Pra, stresi nuk është thjesht një gjendje emocionale — ai ndikon drejtpërdrejt në zemrën tonë, përmes hormoneve që trupi prodhon”, theksoi Gorani.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:

- YouTube www.youtube.com