LAJMI I FUNDIT:

Kapitalizmi, dehumanizimi, tjetërsimi shpirtëror dhe “Shitësi”: E keqja të bën lopë!

Kapitalizmi, dehumanizimi, tjetërsimi shpirtëror dhe “Shitësi”: E keqja të bën lopë!

Pinteri ishte “antishqiptar”. Irani është shtet “diktatorial e armiqësor” që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Artistët e mëdhenj merren me fatet e individëve, e shqiptari me hallet e botës. Ndaj, mes tyre nuk bën të dalë një Asghar Farhad!

Warren Beatty e bëri një “skandal” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar të vitit 2017. Si film më të mirin e shpalli “La La Land”. Zarfi i gabuar u tha se iu dha atij dhe aktores Faye Dunaway. Të dy këta kishin luajtur më 1967 në filmin kult, “Bonnie and Clyde”(“Boni dhe Kllajd”). Beatty është vëllai i artistes së njohur e fitueses së çmimit Oscar, Shirley MacLaine. Shqiptarët e Kosovës dikur qanin kur e shihnin këtë aktor në filmin “Splendor in the Grass“ (“Shkëlqimi në bar”, 1961), me të bukurën Natalie Wood, në regji të Elia Kazanit. Dunaway ka luajtur më 1973 në teatër, në shfaqjen “A Streetcar Named Desire” (“Tramvaji i quajtur dëshirë”) me tekst të Tennessee Williamsit, të cilin Kazani më herët e kishte inskenuar në teatër dhe në filmin antologjik me aktorët Vivien Leigh dhe Marlon Brando. Te gjenerata e epokës së injorancës, asnjë nga këto të dhëna nuk kanë rëndësi. Beatty dhe Dunaway, dy pleq të parëndësishëm e “senilë”, gabuan e u bënë pjesë e historisë më të turpshme të ndarjes së çmimeve Oscar, sepse dikush ua dha zarfin e aktores më të mirë në rol kryesor e këta u “ngutën”!

DRAMA E INDIVIDIT


Vlerësimi i artit është bërë lojë, pjesë e politikës që çmon edhe opinionet koti të shoqërisë civile. Këtë e dëshmon ceremonia e sivjetme e ndarjes së çmimeve Oscar. Filmi më i vlerësuar del të jetë “Moonlight” (“Drita e Hënës”), sepse flet për një shtresë të caktuar të shoqërisë – qoftë për nga raca apo për nga preferencat seksuale. Një film amerikan që flet për zezakët, i tëri me zezakë, triumfon në Amerikën e supremacisë së të bardhëve dhe të moralit “zyrtar” të krishterë!

Në fakt, ky është misioni i kinematografisë amerikane: historia e këtij shteti mund të ketë të meta, aty mund të jenë bërë shumë të liga, por në fund drejtësia gjithmonë triumfon. Dhe, të shkelurit bëhen heronj të idealit të vjetër amerikan të demokracisë.

“Moonlight” megjithatë nuk është film i keq. Mos për asgjë tjetër, është dëshmi se diku ku krijohet e mbijeton vlera, në garë mund të futet një film i buxhetit të vogël me ata që kanë kushtuar 165 milionë dollarë (“Doctor Strange”), 180 milionë dollarë (“Fantastic Beasts and Where to Find Them”) apo 200 milionë dollarë (“Rogue One: A Star Wars Story”). “Moonlight” ka kushtuar veç 1.5 milion dollarë, buxhet i vogël ky jo vetëm për standardet amerikane.

Në anën tjetër, “Moonlight” e ka edhe një anë tjetër pozitive: trajton dramën e njeriut të rëndomtë në rrethana jo të rëndomta të shoqërisë moderne. I tillë ishte edhe filmi i shpërblyer, “Manchester by the Sea” (“Mançesteri”), e sidomos dy filmat evropianë kandidatë për filmin më të mirë të huaj – ai suedez “En man som heter Ove” (Burri i quajtur Uve) dhe ai austriako-gjerman, “Toni Erdmann” (Toni Erdmani). Vetmia, pleqëria, e jeta pa kuptim e shoqërisë kapitaliste të Perëndimit, është trauma e individit të sotëm dhe të nesërm.

Fatkeqësisht, bota po lëviz në drejtim të dehumanizimit, të tjetërsimit shpirtëror. Shkrimtari Jacob Mikanowski, kur shkruan për Evropën Lindore thotë se ky rajon po zhduket meqë detajet unike të shteteve dhe të kombeve po shkrihen. “Njerëzit vishen njësoj. Shohin të njëjtat gjëra, ngasin të njëjtat makina”, shkruan ai. Po Irani, populli me traditën ndër më të vjetrat në botë, ku po shkon?

 TA “SHESËSH” VETEN NË SHOQËRINË E LIGË MATERIALISTE

Irani është shtet i lashtë, me historinë që lakmi duhet t’ia kenë shumë kombe të mëdha e të fuqishme të botës. Në këtë shtet lindi edhe teatri tradicional i quajtur Ta’zieh – një teatër ngushëllimi ku drama shpërfaqet me muzikë e këngë. Në këtë shtet, pa dëshirën e tij (meqë nuk e pranuan në Fakultetin e Regjisë së Filmit), Regjinë e Teatrit në Universitetin e Teheranit do ta mbarojë Asghar Farhadi – iraniani i parë që më 2012 fiton çmimin Oscar për filmin “Jodai-e Nader az Simin” (“Një ndarje”), e po ashtu i vetmi që fitoi dy herë këtë çmim. Filmi i tij “Forushande‎” (“Shitësi”), pos që fitoi Oscarin e sivjetshëm për filmin më të mirë të huaj, do të mbahet mend edhe për faktin që Farhadi është i vetmi regjisor që pa bërë asnjë krim (si p.sh. i dyshuari Roman Polanski) iu ndalua hyrja në SHBA.

Përfundimin e studimeve për teatër, Farhadi sot e sheh si një ndër gjërat më të mira në jetën e tij. Në fakt, ai kishte studiuar edhe “Heshtjen e Pinterit” (dramaturgun anglez, fituesin e Nobelit për Letërsi, Harold Pinter). Fjala është për dy heshtjet – njërën kur nuk thuhet asnjë fjalë, e tjetrën kur thuhen një mori fjalësh që nuk i dëgjojmë. Kjo i ka ndihmuar regjisorit të ri iranian të shkruajë. Teatri e ka ndihmuar të krijojë edhe stilin e tij unik në kinematografinë moderne, siç kishte ndikuar kjo dikur tek suedezi Ingmar Bergman.

Farhadi – për dallim nga shumë kolegë të tij të Valës së Re Iraniane që frymëzohen nga neorealistët italianë – i çmon realizimet e Elia Kazanit që po ashtu sukseset e para i kishte shënuar në teatër. Dhe, siç i kishte shkruar Kazani aktorit Warren Beatty – gjatë realizimit të filmit “Shkëlqimi në bar” – se që të bëhej aktor i mirë duhej të mos sillej si primadonë, personazhet e Farhadit janë të rëndomtët që ecin për toke.

I tillë mbase është “realiteti shtypës” në Republikën Islamike të Iranit, që nuk lejon njerëzit të ngrenë krye e të “fluturojnë”. Kështu së paku është përshkrimi që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilat Irani nuk ka marrëdhënie diplomatike që nga viti 1980, e që e akuzojnë Iranin si mbështetës të terrorizmit. Por, ajo që shihet nga arti dhe nga kultura e këtij vendi është diçka tjetër. Në këtë shtet inskenohen veprat e një homoseksuali amerikan, si Tennessee Williams; të Sam Shepardit që trajton shoqëritë e margjinave “dekadente” të Amerikës; të Edward Albeet që trajton raportet “perverse” seksuale të çifteve; e madje të një hebreu si Arthur Miller. Ndërsa, “hero” i fëmijëve është “SpongeBob SquarePants” (“Bob Sfungjeri”).

MOMENTI FATAL

Për të realizuar filmin “Shitësi”, Farhadit i mungonte një detaj: teksti i duhur dramatik, për një paralele me storien e tij. Ai i kishte hulumtuar veprat e ekzistencialistit Jean-Paul Sartre dhe të “babait të realizmit”, Henrik Ibsenit. Por, “dhuratë” për të ishte Milleri dhe “Death of a Salesman” (“Vdekja e shitësit”). Kjo vepër ishte inskenuar më 1949, pikërisht nga Kazani, ndërsa kishte fituar çmimin prestigjioz Tony për regji dhe për tekst.

“Vdekja e shitësit” konsiderohet si një ndër veprat më të mëdha të dramaturgjisë botërore të shekullit XX. Ajo godet Ëndrrën Amerikane dhe materializmin perëndimor përmes trajtimit të fatit të një familjeje të shtresës së mesme. Në këtë familje asnjëri nuk është ai që shfaqet të jetë e aq më pak është ai që do të donte të ishte. Anëtarët e familjes Loman e mohojnë realitetin, e mashtrojnë veten dhe njëri-tjetrin. Sistemi shtetëror është mosmirënjohës, imponon fatet e njerëzve, ndërsa ata nuk janë të aftë ta “shesin” veten e as ta ndryshojnë realitetin. Të besosh tek idealja do të thotë të jetosh në iluzione, njëjtë si Willy Loman që ngatërron të kaluarën me të tashmen.

Ky është fati i individit në shoqëritë moderne materialiste, ku sistemi i pakicës vret jo drejtpërdrejtë si dikur, po përmes padrejtësive sociale që ka instaluar për shumicën – përmes sojit të njëjtë të të nënshtruarve e të heshturve.

Farhadi te çifti njujorkez i veprës së Millerit, Willy dhe Linda Loman, sheh një paralele me karakteret e tij që jetojnë në Teheranin e ditëve të sotme: Emad dhe Rana, jeta e të cilëve ndryshon për të keq nga rrethanat e jashtme. Ëndrra e tyre trazohet një natë kur për shkak të ndërtimeve të egra nis të shembet ndërtesa ku ata jetojnë. Dhe, një detaj i vogël – siç ndodh te Milleri apo te regjisori polak Krzysztof Kieslowski – dominon dramën dhe karakteret e Farhadit. Të çarat në mure do të çajnë në mes çiftin Emad dhe Rana. Shpërngulja në banesën tjetër, me shpresën se aty mund të zë vend edhe një fëmijë që mund ta kenë, do të kthehet në makth. E, fajtor për këtë është shoqëria: populli i nënshtruar nga pushteti, gruaja e nënshtruar – sipas stereotipave arkaikë – nga burri!

LOPA HUMANE

Emadi dhe Rana janë aktorë që punojnë në shfaqjen “Vdekja e shitësit”. Emadi në një shkollë ligjëron letërsinë, dramaturgjinë dhe filmin. Nxënësit – që janë të afërt me të – duan të dinë për shfaqjen e tij më të re. Kur e kuptojnë titullin, e pyesin me shaka “mikun” e tyre se “çfarë shet”. Sepse, në shoqëritë materialiste gjithçka është mall; sepse te masat nga titulli projektohet përvoja – fabula!

Taksitë e metropolit të Teheranit janë si “1-shat” ilegalë të Prishtinës e të Fushë Kosovës (se si funksionojnë ato në Iran, këtë e zbërthen më së miri Jafar Panahi te filmi “Taksi” – fitues i Ariut të Artë në Berlinalen e vitit 2015): secili që ndjek “rrugëtimin” e njëjtë, hipën në to. Aty të barabartë janë mësuesi e nxënësi. E, edhe një grua që dëshiron të ulët para, jo pranë Emadit. Për nxënësin ky ishte ofendim, po jo për Emadin që e di se reagimi i gruas është pasojë e një traume nga e kaluara.

Pasojat e këtyre traumave i zbërthen regjisori Farhadi. Kryepersonazhi i filmit të tij nxënësve ua ligjëron filmin “Gav” (“Lopa”, 1969) – sipas tregimit të shkrimtarit dhe aktivistit të njohur Gholam-Hossein Sa’edi – me regji të Dariush Mehrjuit. Ky realizim fatmirësisht u pëlqye nga Ayatollah Khomeini, ndaj është nxitja për zhvillimin e kinemasë iraniane. Te ky film, kur pronari humb pasurinë e vetme, një lopë, ai çmendet, ha lule e bar dhe mendon se është prona e tij – kafsha e tij e dashur shtëpiake. Sepse, siç ka thënë i moçmi: kur humb malli humb shpirti!

Por, në çfarë shndërrohet Emadi?

Në krizë për banim, në ndihmë atij dhe gruas së tij u del kolegu aktor, Babaku. Ai i dërgon në një banesë ku më parë kishte jetuar një nënë e vetmuar, një prostitutë. Pas premierës së “Vdekjes së shitësit”, Rana shkon më herët në shtëpi dhe bën një gabim të madh: duke menduar që i erdhi burri, pas cingërimës në interfon hap derën kryesore të hyrjes e edhe të banesës. Ajo gjendet më vonë në spital, e traumatizuar e me plagë të rënda në kokë.

Dikush që kishte kërkuar shërbime të prostitutës e që nuk e dinte se ajo nuk banonte më aty, e kishte sulmuar. Mentaliteti arkaik patriarkal bën që çifti të mos e thotë të vërtetën: të gjithë duhet ta “dinë” se Rana ishte rrëzuar në banjë. Mu për këtë – që të mos lëndohet nderi i një gruaje dhe i një burri – nuk kërkohet as ndihma e policisë.

NDERI NË BOTËN PA NDER

Këtu fillon drama e këtij çifti, që më së miri shpjegohet përmes reprizave të “Vdekjes së shitësit”. Rana e sheh “sulmuesin” në publik; Emadi e sheh të “degjeneruarin” te Babaku i pafajshëm; drama e Millerit – tragjedia, goditja ndaj kapitalizmit, psikologjia kolektive dhe e individit – rishkruhet nga traumat e Emadit (Willy) dhe Ranas (Linda). Asgjë nuk është siç ishte dikur. Aktori më nuk ka empati për karakterin e tij, për askënd, sepse karakteri rikrijohet nga përvoja jetësore e aktorit. Jeta është teatër dhe teatri bëhet jetë.

Në këtë kaos psikologjik të burrërisë së lënduar, Emadi merr drejtësinë në duart e tij. Dhe, shndërrohet në hakmarrës të përbetuar. Ai e gjen keqbërësin që del të jetë personazh i filmit të paragjykimeve, “American Beaty” (“Bukuria amerikane”, 1999): një plak për “gjynah”, me sëmundje të zemrës që iu dorëzua tundimit. Por, këtë të vërtetë duhet ta dinë familja e “keqbërësit” që u gjet në momentin dhe vendin e gabuar, pa çka që Emadi rrezikon martesën e tij nga kërcënimi për ndarje nga gruaja që papritmas “kaplohet” nga empatia e Sindromës së Stokholmit, për njeriun që mbante peng prehjen e saj shpirtërore!

Emadi nxeh “damarin shqiptar” të Lyman Feltit nga komedia e Millerit, “Ride down Mt. Morgan” (“Zbritja nga Mali Morgan”, 1991). Personazhi Felt – që kishte origjinë të përzier shqiptaro-hebraike – në një moment thotë: “Në zemrën e hebreut fle avokati e gjykatësi, në të shqiptarit banditi që kundërshton pushtetin me thikë”!

Mentaliteti patriarkal sugjeron që për “nderin e gruas” duhet të vrasë. Por, “çuditërisht”, ligji i kauzalitetit nuk bëhet publik. Kështu, në këtë rast, as fqinjët, as miqtë e as shteti nuk e dinë se a ka hyrë sulmuesi në banjë kur Rana lahej. Nderi i gruas së martuar nuk bën të cenohet. Ndaj, Emadi “fal”, edhe për hir të familjes së pafajshme të atij që ia trazoi jetën. Por, jo pa qepuar shuplakën që për burrat tamam e të Kanunit është më e rëndë se dajaku!

Pse veç shuplakë?

Sepse, artisti nuk vret! Ai mund të “gabojë”, siç gaboi në pleqëri Beatty që u ngrit në rini nga Kazani, e edhe Dunaway që më 1967 luajti në filmin e tij “The Arrangement“ (“Marrëveshja”) e për të cilën në një intervistë të vitit 1993, regjisori i madh do të thoshte: “E etshme, kureshtare, talente e re e premtuese. Ka punuar me mendjen, trupin dhe zemrën e saj, dhe kurrë nuk ishte e kënaqur”.

“Shitësi” është film me buxhet të vogël. Regjisori në një moment nuk kishte para për t’ia bërë titrat anglisht. Por, triumfoi në garën e kolosëve, sepse është krijues. Aktorët e tij që sot janë emra të vlerësuar në botë, nuk kanë mbaruar shkollat e aktrimit. Por, fatmirësisht as nuk kanë fituar “çmimet kryesore” në Mongoli, po aty ku shpërblimi është tamam vlerësim dhe vlerë.

“Moonlight” bazohet në pjesën teatrale të Tarell Alvin McCraneyt, “Në dritën e Hënës djemtë e zinj duken të kaltër”. Në dritën e “Shitësit” vjen heshtja e Pinterit.

Pinteri ishte “antishqiptar”. Warren Beatty e Faye Dunaway janë “asgjë”! Irani është shtet “diktatorial e armiqësor” që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kazani është “kazan”! Artistët e mëdhenj merren me fatet e individëve, e shqiptari me hallet e botës. Ndaj, mes tyre nuk bën të krijohet një Asghar Farhad. Mes tyre duhet të vritet… Mozarti!

Mes shqiptarëve vritet Mozarti!
Lexo po ashtu Mes shqiptarëve vritet Mozarti!