Kapen 6.500 litra naftë të kontrabanduara

Në momentin e ndalimit të automjetit transportues, ngasësi 38-vjeçar, nuk ka rezistuar dhe ishte bashkëpunues në komunikim me zyrtarët policorë duke deklaruar sasinë e derivateve që po transportonte, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
Sipas tij në automjetin transportues (automjeti me rimorkio), policia ka identifikuar sasi të derivateve të naftës të mbushura në 6 bidonë të plastikës të sasisë 1.000 litërshe në secilën prej tyre, ndërsa ngasësi nuk posedonte dokumentacionin e duhur për transport apo prejardhje të mallit, njofton Koha.
Besohet se automjeti transportues po qarkullonte nga veriu i Mitrovicës përmes rrugëve rurale, duke iu shmangur rrugës magjistrale, me cak final Prishtinën, ka thënë Hoti. Policia ka kërkuar asistencën e zyrtarëve të doganave të Kosovës, për të sekuestruar mallin e dyshuar të kontrabanduar. Janë regjistruar rreth 6.500 litra të derivateve të naftës, të sekuestruara si mall i kontrabanduar.
Policia ka regjistruar rastin si vepër penale “kontrabandë me mallra”, ndërsa prokurori publik është informuar për të gjitha veprimet e ndërmarra të policisë, ka pohuar zëdhënësi Hoti. /Telegrafi/




















































