Berlini ka një kancelar të ri. Udhëheqësi konservator, Friedrich Merz, është zgjedhur të martën nga Bundestagu në raundin e dytë të votimit, duke marrë kështu postin më të lartë ekzekutiv në Gjermani.

Pas zgjedhjes së tij, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë shprehur urimet e tyre për Merz përmes rrjetit social “X”.


“Në emër të popullit të Kosovës, i uroj suksese Kancelarit Friedrich Merz me rastin e marrjes së detyrës dhe fillimit të mandatit të qeverisë së re gjermane. Në një moment përcaktues për unitetin dhe sigurinë e Evropës, udhëheqja e vazhdueshme e Gjermanisë është më e rëndësishme se kurrë”, ka shkruar Osmani.

Edhe kryeministri Kurti ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

“Urimet më të ngrohta për Friedrich Merz për marrjen e mandatit. Shtetet tona janë të lidhura thellë mbi vlerat e ndara dhe vizionin e përbashkët për Evropën. Mezi pres të bashkëpunojmë”, ka shkruar Kurti.

Menjëherë pas këtyre urimeve, kancelari i ri gjerman ka reaguar duke i shpërndarë mesazhet e liderëve kosovarë dhe ka falënderuar ata publikisht.

“Faleminderit shumë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani”, ka replikuar Merz në platformën “X”./Telegrafi/