Kancelari gjerman i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë për intensifikimin e dialogut

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të intensifikojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar për mbështetjen e tij në këtë proces.
“Është koha që dy vendet të zbatojnë plotësisht përkushtimet e bëra”, tha Merz gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Londër, ku pranoi se gjatë këtij viti ka munguar progresi i dukshëm në dialog.
“Do të doja që Qeveria Federale të përfshihej në këtë proces. E kam thënë këtë edhe për veten time personalisht”, shtoi ai, duke nënvizuar se “do të vazhdojmë bisedimet mes nesh” për të çuar përpara procesin e normalizimit.
Merz u shpreh i kënaqur që palët kishin miratuar një deklaratë të përbashkët mbi pajtimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, e cila sipas tij do të fillojë të zbatohet në praktikë.
Në samitin e Londrës morën pjesë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian. Deri më tani, samiti është mbajtur 11 herë – katër në Berlin dhe nga një herë në Londër, Vjenë, Paris, Trieste, Poznan, Sofje dhe Tiranë.
Kosovën në këtë takim e përfaqësoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili gjatë fjalimit të tij tha se përparimet e bëra në Kosovë “mbesin nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga Serbia”.
Kurti kujtoi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, duke theksuar se “fqinjit armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri”. Ai theksoi se përgjegjësinë për atë sulm e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, por që deri më tani nuk është përballur me drejtësi.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të dalin para drejtësisë, ndërsa në Kosovë vijon procesi gjyqësor ndaj tre nga dhjetëra të akuzuar për këtë rast.


















































