Site icon Telegrafi

“Kam informacione se do të rekomandohet heqja e masave ndaj Kosovës”, “nuk duhet spekuluar” – çka tha zëvendëskryeministri Bislimi e çka BE-ja?

Javën që po lëmë pas zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi ka folur në Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me largimin e masave ndaj Kosovës.

Ai para deputetëve ka thënë se me aq është në dijeni raporti i Josep Borrellit do të jetë pozitiv dhe do të rekomandohet heqja e masave.

“…Besojmë se do të dërgohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit me aq sa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave”, është shprehur Bislimi, raporton Telegrafi.

Ai tha tutje se të gjitha veprimet që janë kërkuar nga Kosova janë plotësuar.

E lidhur me këtë deklaratë ka reaguar Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ka thënë se afati i dorëzimit të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian.

Kështu ka thënë hënën zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, duke u përgjigjur në pyetjet se kur mund të pritet dorëzimi i raportit dhe çfarë pritet të jetë përmbajtja e tij.

“Para së gjithash, raporti i Përfaqësuesit të Lartë ishte kërkuar nga Këshilli. Pra, shtetet anëtare kanë kërkuar nga Përfaqësuesi i Lartë t’ua dërgojë atë raport dhe ai do t’ua dërgojë raportin vendeve anëtare. Këto vende anëtare do të jenë të parat që do të dinë se çfarë përmban raporti. Kjo akoma nuk ka ndodhur”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

Sipas Stanos, shkruan REL, raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.

Lexo po ashtu Heqja e masave sanksionuese nga BE, në Kosovë presin që raporti i Borrellit të jetë pozitiv

“Vendet anëtare do të jenë të parat që do ta dinë përmbajtjen, do të diskutohet, dhe më pas të merren vendimet e nevojshme”, ka thënë Stano, duke paralajmëruar që për dorëzim të raportit do të njoftohen edhe autoritetet e Kosovës.

“Ne nuk shohim nevojë të spekulohet nga ana e akterëve të ndryshëm”.

Ndryshe, për më shumë se një vit Kosova është në masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian, pasi situata ishte përshkallëzuar në veri të vendit.

Atë kohë, Bashkimi Evropian kishte thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për të shmangur konfliktin.

Ndonëse, situata është e qetë në veri dhe janë mbajtur zgjedhjet lokale në katër komunat në veri, Kosova ende është nën masa të BE-së.

Exit mobile version