Site icon Telegrafi

Kajtazi: Janë 720 spiunë në Kosovë, Shabani e Qerimi nuk janë kryesorët

Vendi u trondit kur para tetë muajsh, në qershor të vitit 2024, u arrestuan Bedri Shabani e Muharrem Qerimi si bashkëpunëtorë të Shërbimit Informativ Serb (BIA), dhe se me informacionet të cilat i dërgonin zyrtarit të BIA-s, Srgjan Rosiq, kishin rrezikuar rendin kushtetues të Kosovës.

Tashmë të akuzuarit, Shabani e Qerimi nuk janë të vetmit spiunë në Kosovë, pasi sipas ekspertit të sigurisë, Fadil Kajtazi, edhe 720 spiunë të tjerë janë në vend.

Por, aktiviteti i dy tashmë të akuzuarve për “Spiunazh”, seancat gjyqësore ndaj të cilëve kanë nisur këtë muaj, sipas ekspertit Kajtazi, nuk i përket hierarkisë së lartë.

Sipas tij, Shabani e Qerimi qëndrojnë në mes diku pasi që edhe veprimet e bëra e dëshmojnë një gjë të tillë.

Kajtazi madje thotë se të dy ata kanë thyer protokollin e agjenturave pasi kanë komunikuar përmes telefonit, diçka që sipas tij nuk guxon të ndodhë.

“Këta [Muharremi e Qerimi] nuk janë të kategorisë së rëndë në hierarkinë e spiunëve. Unë i kam përmend 720 persona që janë spiunë në Kosovë. Ka thyerje të protokollit, komunikimi nuk guxon të bëhet me telefon, ata e kanë thyer protokollin, kanë bërë gabime dhe gabimet i bëjnë këta që janë të nivelit më të ulët. Ata kanë qenë të kategorizuar përpara në kuadër të shërbimit sekret si: bashkëpunëtori, lidhja operative dhe lidhja shoqërore”, tha Kajtazi në Klan Kosova.

“Mbi bazë të këtyre kategorive e kanë bërë rrjetin operativ. Unë mendoj se këta të dy gjinden në mes, në atë që njihet si lidhja operative, është më pak se bashkëpunëtori, se bashkëpunëtorët janë të futur më thellë. Ndërkohë që për Bedri Shabanin e kemi ditur se është spiun para luftës, është përmend emri i tij. Ka depërtu se klasa jonë politike nuk ka dashur me leju kontinuitetin e organeve të cilat kanë bërë Kosovën deri ne vitin 1999 edhe këta janë forcu më shumë sesa na. Bashkëpunëtorët e Serbisë janë forcu, Gjykata e Hagës është produkt agjenturor serbë”, tha Kajtazi.

Exit mobile version