LAJMI I FUNDIT:

Kadare: Një ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi ma dogji Nobelin

Kadare: Një ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi ma dogji Nobelin

Gjeniu i letrave shqipe, thyen heshtjen e gjatë, dhe flet për herë të parë mbi prapaskenat e nominimin e tij për çmimin Nobel. Nga Gjirokastra, Ismail Kadare pohoi se një ambasador shqiptar në Suedi u bë shkak që ai të mos vlerësohej me çmimin e madh.

Është kthyer pas 8 vitesh në qytetin e tij të lindjes, në Gjirokastër. Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare ka thyer heshtjen e gjatë, duke folur për herë të parë mbi prapaskenat që lidhen me nominimin e tij për çmimin Nobel.

Në takimin e organizuar në ambientet e Hotel "Çajupi", shkrimtari u shpreh, se një ish-diplomat shqiptar ka qenë ai që pengoi vlerësimin e tij me këtë çmim. Kadare pohoi një të pathënë deri dje, duke pohuar se një ambasador shqiptar në Suedi u bë shkak që ai të mos vlerësohej me çmimin e madh, por pa deklaruar publikisht emrin e diplomatit.

“Një ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi, ka kundërshtuar nominimin tim me këtë çmim. Ky ishte një veprim skandaloz, saqë edhe vetë shtypi u mor gjatë me këtë çështje. E ç’është më e keqja, ai ambasador ishte nga Gjirokastra”, tha ai.


Enigma e lënë nga Kadare, në sallën ku u organizua takimi mbi emrin e ambasadorit që guxoi kontestimin e dhënies së çmimit Nobel, u "zbulua" nga vetë miqtë që shoqëronin shkrimtarin e madh. Bëhet fjalë për Bardhyl Kokalarin nga Gjirokastra, i cili ka qenë ambasador në Suedi gjatë viteve 1992-1995.

Mësohet se Kokalari i kërkoi zyrtarisht Komitetit të çmimit Nobel, që të mos vlerësohej me këtë çmim bashkëqytetari e bashkëkombësi i tij, Ismail Kadare. /GazetaShqiptare/