Planeti ynë ka gjithçka… por ky vend mbetet i vdekur

Një peizazh i jashtëzakonshëm ku uji ekziston, por asnjë gjallesë nuk mund të jetojë
Në veri-lindje të Etiopisë, brenda depresionit të Danakilit, ndodhet një vend i pazakontë që sfidon vetë konceptin e jetës. Ky është Dalloli, një krater vullkanik i formuar mijëra vite më parë, kur shpërthimet e magmës u ndeshën me shtresa të mëdha kripore, duke krijuar një peizazh të jashtëzakonshëm me ngjyra të verdha, të kuqe dhe portokalli. Edhe sot, ky mjedis është në lëvizje të vazhdueshme, duke u transformuar nga aktiviteti hidrotermal.
Planeti ynë ka treguar se jeta është jashtëzakonisht e qëndrueshme, e aftë të mbijetojë në shkretëtira pa ujë apo në tundrat e ngrira të veriut. Megjithatë, Dalloli është një përjashtim: një copë toke ku rregullat e zakonshme të mbijetesës nuk vlejnë.
Studimet më të fundit shkencore kanë konfirmuar se ky është një ndër vendet e rralla në Tokë ku nuk është gjetur asnjë formë jete, as edhe mikroorganizmat më rezistentë.
Dallol: zona pa jetë
Në ndryshim nga hulumtimet e mëparshme, ekspertët kryen analiza të avancuara dhe arritën në përfundimin se në vendin e quajtur Dallol, nuk ka jetë, madje as mikroorganizma.
Ky është një prej vendeve më ekstreme në Tokë. Në Dallol, nxehtësia është përvëluese, prania e kripërave dhe aciditetit është jashtëzakonisht e lartë, ndërsa uji dhe gazrat toksikë krijojnë një mjedis vdekjeprurës, transmeton Telegrafi.
Kushte të pamundura për jetën
Pellgjet e Dallolit ndodhen në një krater të mbushur me kripë, gazra toksikë dhe ujëra që zien. Edhe gjatë dimrit, temperaturat ditore mund të arrijnë deri në 45 °C, ndërsa sipërfaqet e pishinave arrijnë përzierje të acideve dhe kripërave që e bëjnë mjedisin “poliekstrem”.
Nëse në vende të tjera të botës shkencëtarët kanë gjetur gjurmë jete edhe në kushte ekstreme, në Dallol kjo nuk ndodh. Edhe pse aty ka ujë, një element bazë për jetën, kombinimi i temperaturës, aciditetit dhe kripës e bën të pamundur ekzistencën e gjallesave.
Pse nuk ka jetë këtu?
Janë pikërisht pellgjet acidike e të kripura që pengojnë krijimin e jetës. Kimikatet e prodhuara aty, veçanërisht kripërat e magnezit dhe nivelet jashtëzakonisht të ulëta të pH-së, dëmtojnë molekulat biologjike. Për pasojë, mikroorganizmat nuk mund të mbijetojnë, madje as format më rezistente të jetës.
Studimet e vazhdueshme
Shkencëtarët vijojnë të studiojnë këto “pishina vdekjeprurëse” për të kuptuar më saktësisht se çfarë ndodh në këtë peizazh unik të Tokës. Dalloli shihet edhe si një laborator natyror për kërkime mbi jetën në planetë të tjerë, si Marsi, ku kushtet mjedisore ngjajnë me ato të këtij vendi magjepsës dhe njëherësh vdekjeprurës.
/Telegrafi/



















































