Juventusi ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 në shtëpi ndaj Genoas në kaudër të javës së 30-të në elitën e futbollit italian. 

Golin e fitores ‘Zonja e Vjetër’ e shënoi në pjesën e parë përmes Kenan Yildiz (25’) i cili bëri një sllallom të bukur mes 2-3 lojtarëve kundërshtar për të shënuar për 1-0. 


Në minutën e 27-të, Tudor u detyrua që të bëjë një zëvendësim, duke larguar nga loja Federico Gattin e lënduar dhe duke inkuadruar në vend të tij Pierre Kalulun. 

Në pjesën e dytë tekniku kroat i Juventusit bëri disa zëvendësime për të sjellë freski në lojën e tyre. 

Po zhvillohej minuta e 84-të kur ‘Bianconerët’ rrezikuan seriozisht portën e mysafirëve përmes Manuel Locatellit, por goditja e tij e fortë u ndal nga portieri Leali. 

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit Juventusi ia doli ta menaxhojë mirë epërsinë e krijuar, duke marrë tri pikë tejet të rëndësishme. 

Pas kësaj fitoreje, Juventus shkon në kuotën e 55 pikëve dhe mban pozitën e pestë në tabelë me një më pak se Bologna që ka 56 sosh dhe gjendet në pozitën e katërt. 

Javën e ardhshme gjiganti italian do të luajë në udhëtim një ndeshje tejet të papërshtatshme ndaj Romës./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app