Juppe: Franca mbetet zë i fuqishëm i Kosovës

Ministri Juppé siguroi ministrin Hoxhaj se Franca edhe më tutje do të mbështes dhe promovojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës në botë. “Ne edhe më herët kemi mbështetur Kosovën për sigurimin e njohjeve dhe këtë do të bëjmë edhe në të ardhmen”, ka theksuar Juppé. Në takim, po ashtu, është biseduar edhe për kultivimin e marrëdhënieve strategjike mes Francës dhe Republikës së Kosovës, si dhe mundësinë e investimeve të kompanive franceze në Kosovë.
Nga ana e tij, ministri Hoxhaj, ka falënderuar ministrin francez Juppé për ndihmën që shteti i tij i ka dhënë Kosovës, para dhe pas pavarësisë. Ai ka kërkuar ndihmën e Francës për procesin e liberalizimit të vizave, të Integrimeve Evropiane, për lidhjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në si dhe për përmbylljen e procesit të njohjeve. Me këtë rast, Ministri Juppé ka siguruar ministrin Hoxhaj se Franca do të jetë një zë i fuqishëm i Kosovës në rrugën e saj për në Bashkimin Evropian.
Gjatë qëndrimit në Paris, ministri Hoxhaj do të takojë edhe ambasadorë të shteteve të huaja të akredituar në Republikën e Francës. Ndërsa, të mërkurën, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës do të marrë pjesë në një takim të Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë Nacionale të Francës. /Telegrafi/













































