Xhevdet Shehu
Para disa vitesh kam botuar disa shkrime lidhur me vdekjen tejet të dyshimtë të Mit’hat Frashërit. Ky interes m’u zgjua pasi lexova një libër që ishte botuar në Shtetet e Bashkuara nga Albert Lulushi. Në orët e para të mëngjesit të 3 tetorit 1949, saktësisht më 09:25 minuta, Mit’hat Frashëri u gjend i vdekur në dhomën e tij në hotelin Winthrop, 351 Lexington Avenue në Nju Jork. Në këtë hotel ai kishte gjetur strehë që nga mbërritja e tij tri javë më parë së bashku me anëtarët e tjerë të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Një mjek deklaroi se shkaku i vdekjes për pothuaj 70-vjeçarin Frashëri kishte qenë një atak kardiak, si pasojë e lodhjes. Por, dëshmitarët okularë që ishin takuar me Frashërin gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara e përshkruan atë si një njeri plot gjallëri dhe energji. Në këtë mënyrë ata lanë të nënkuptohej se shkaku i vdekjes së Mit’hat Frashërit nuk ishte zemra e lodhur…
Shaqir Salihu, autori i librit “Rrëfime lirie”, është një ballist i thekur. Ai është një adhurues i Mit’hat Frashërit dhe për herë të parë sjell fotografitë e Mit’hatit në shtratin e vdekjes 68 vite të shkuara. Shaqiri është i vetmi që i disponon këto fotografi, ashtu sikurse ruan si kujtim një kravatë të Mit’hatit, të dhuruar nga Talat Karagjozi në fundin e jetës.
Por, ajo që është më e rëndësishme është dëshmia që sjell autori për fundin e Mit’hatit. Ai pohon se kreu i Ballit Kombëtar dhe më pas i Komitetit “Shqipëria e Lirë” është eliminuar nga Kim Filbi, superagjenti i njohur britanik.
Ka nga ata që edhe sot e kësaj dite besojnë se Mit’hat Frashëri ka vdekur natyralisht. Në të vërtetë, duke pasur parasysh një personalitet politik aktiv të përmasave të tij dhe aktiv në kohën kur ka ndodhur vdekja, lindin shumë dyshime për një vrasje të mirëfilltë politike. Nuk është ky rasti i parë. Kanë ndodhur vrasje të tilla jo vetëm ndër shqiptarët dhe që njihen botërisht, para dhe pas vrasjes së Mit’hatit. Është e drejta e atyre që besojnë se kjo nuk ishte një vrasje politike, pavarësisht se është versioni më pak i besueshëm.
Në librin me titull “Operation Valuable Fiend” (Operacioni “Kundërshtari i Dobishëm”) të autorit Albert Lulushi, dyshimi për vdekjen natyrale të Frashërit është krejtësisht i dukshëm.
Versioni i parë që hidhet është ai se në vdekjen e Mit’hatit ka dorë Sigurimi i Shtetit shqiptar. Ndërkohë që kishte një operacion paramilitar ushtarak i CIA-s për të përmbysur me dhunë regjimin komunist të Tiranës, në pamje të parë ky duket versioni më i besueshëm. Mit’hat Frashëri ishte i parapëlqyeri i amerikanëve dhe ishte caktuar Kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Për këtë ka ndikuar origjina familjare e tij, paraardhësit e tij emërmëdhenj si Abdyli, Naimi e Samiu, por edhe vetë ai për erudicionin që zotëronte dhe për qëndrimin që kishte mbajtur gjatë luftës. Megjithëse ishte Kryetar i Ballit Kombëtar, nuk u bë kolaboracionist dhe nuk u bë pjesë e asnjë kabineti kuisling. Pra kishte më shumë besueshmëri se të arratisurit e tjerë.
Ky Komitet ka filluar të funksionojë në gjysmën e dytë të vitit 1949, më saktë në gusht të atij viti. Mirëpo, ky version rrëzohet vetvetiu kur mendon se jemi në vitin 1949, kur Shqipëria kishte më pak se katër vjet e dalë nga lufta, pa marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara dhe mbi të gjitha një shtet i varfër me shumë pak mundësi për të financuar një operacion të tillë.
Versioni i dytë: Shteti shqiptar i asaj kohe ka shfrytëzuar lidhjet e ngushta me KGB-në sovjetike ose aleatë të saj për të asgjësuar kundërshtarët e vet jashtë shtetit dhe në SHBA. Mirëpo, me teknikat e komunikimit të asaj kohe, me prishjen e marrëdhënieve me jugosllavët dhe me marrëdhëniet ende të pakonsoliduara me sovjetikët, duket e pabesueshme që të ketë funksionuar kjo linjë veprimi për të eliminuar Mit’hat Frashërin. Edhe ky version duket pak i besueshëm, duke parë situatën e atyre viteve dhe aktivitetin politik të Mit’hat Frashërit gjatë viteve të para menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Versioni i tretë: Ahmet Zogu. Më 14 shtator të vitit 1949, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ kanë mbërritur në Nju Jork, pas disa telashesh në konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Londër për punën e vizave. Vetëm Mit’hat Frashëri dhe Abaz Kupi kishin pasaporta të vlefshme të lëshuara nga legata mbretërore shqiptare në Kajro. Të tjerët kishin probleme të natyrave të identitetit dhe të vendeve nga ishin dhënë pasaportat. Një zyrtar i Operacioneve i priti ata në aeroport, rregulloi transportimin e tyre dhe i ndihmoi të sistemoheshin në një hotel. Robert Lou i takoi pasdite dhe shtroi një darkë për ta, ku mori pjesë dhe Herri Fullc dhe Reuben Markham. Fullci ishte një emër shumë i njohur dhe i respektuar ndër shqiptarët, si themelues i shkollës teknike amerikane të Tiranës në vitet 1920-30 dhe si një diplomat kryesor i Ambasadës amerikane në Tiranë në vitet 1945-46. Në fund të asaj darke, Lou i ka dhënë çdo anëtari të Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ nga 500 dollarë (rreth 5,000 dollarë me vlerën e tanishme) për të mbuluar shpenzimet e mundshme dhe të paparashikuara gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Fullci pranoi të shërbente si një shoqërues i Komitetit, por këmbënguli të qëndronte në hije për të shmangur ndonjë publicitet që lidhej me emrin e tij. Frika e Fullcit në këtë rast konsistonte në faktin se, në rast se qeveria e Tiranës do të merrte vesh se Fullci kishte lidhje me këtë Komitet, do të merrte masa drastike kundër gjithë ish-studentëve të tij në shkollën amerikane të Tiranës.
Disa ditë më pas, më 3 tetor Mit’hat Frashëri u gjend i vdekur. Pse dyshohet Ahmet Zogu në eliminimin e Mit’hatit?
Ideja, nisma dhe nxitja për të ndërmarrë një operacion paraushtarak për të përmbysur regjimin komunist të Tiranës ka qenë e Ahmet Zogut, ish-mbretit që u arratis ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në 7 prill 1939.
Ja si ka ndodhur.
Ahmet Zogu ishte rezident në Kajro të Egjiptit ku mbreti Faruk i asaj kohe, me origjinë shqiptare, i kishte ofruar Zogut strehim politik. Më 23 dhjetor të vitit 1948, Sotir Martini, ministër i Oborrit mbretëror shqiptar në Egjipt, i dorëzoi një letër kolonel Norman Fiskes, atasheut ushtarak amerikan në Kajro.
Në atë letër përcillej propozimi i Ahmet Zogut për të bashkëpunuar me amerikanët për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri. Zogu mendonte se kishte ardhur momenti për të rivendosur në Shqipëri një qeveri të lidhur me fuqitë perëndimore. Sipas Zogut, në Shqipëri kishte një pakënaqësi të madhe në popull me regjimin që u vendos pas luftës dhe njerëzit ishin gati ta përmbysnin atë në rastin më të parë. Në vitin 1948, më saktë në vjeshtë të atij viti kishte ndodhur prishja e Tiranës me Titon, ishte goditur klani i Koçi Xoxes dhe Zogu mendoi se ky ishte një moment i volitshëm për t’u rikthyer në pushtet…
Në ditët e para të vitit 1949, ideja e propozimit të Zogut u bë më e qartë, ndërsa mori mbështetjen e amerikanëve. CIA ishte gati ta mbështeste një operacion paramilitar për të përmbysur regjimin e Tiranës. Më 30 prill 1949, dy përfaqësues të Ambasadës amerikane në Athinë u takuan me Mit’hat Frashërin në Pire, diskutuan mbi këtë ide dhe ranë dakord për krijimin e një fronti të bashkuar kundër qeverisë së Tiranës. Në atë front do të bënin pjesë ballistë, legalistë dhe të arratisur të tjerë politikë që nga koha e luftës. Mit’hati pranoi të merrte kryesimin e këtij fronti. Ky front sikurse dihet, mori emrin Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë. Ky komitet në njëfarë mënyre do të kishte atributet e një qeverie në mërgim dhe kjo me sa duket e ka bërë Zogun të hezitojë dhe të vihet në lëvizje që pushtetin, pas përmbysjes së qeverisë komuniste të Tiranës, të mos e merrnin ballistët.
Mirëpo, është interesante të njihet sjellja e Zogut paskëtaj. Të njëjtët amerikanë që u takuan me Mit’hatin në Athinë, shkuan dhe takuan Zogun në Kajro më 5 maj dhe diskutuan të njëjtat gjëra dhe çfarë ishte arritur me Mit’hatin. Këtu fillon kthesa, apo më mirë hezitimi i Zogut. Ai zvarrit bisedimet, vendos kushte për pjesëmarrësit në udhëheqjen e frontit, ndryshon mendime në momentet e fundit, ndërsa më 14 qershor 1949 theksoi: Nëse Frashëri jepte dorëheqjen ose nuk ishte në gjendje të kryente funksionin e tij për ndonjë arsye tjetër, Zogu kërkonte që ai të konsultohej për zgjedhjen e pasuesit të tij ose për ndonjë ndryshim që do të ndodhte në anëtarësinë e komitetit ekzekutiv.
Janë proverbiale mosmarrëveshjet midis ballistëve dhe zogistëve në mërgim pas luftës. Edhe Komiteti “Shqipëria e Lirë” i fashiti përkohësisht mosmarrëveshjet, por nuk i largoi përfundimisht ato. Këto mosmarrëveshje që shkonin nga baza deri në udhëheqjen më të lartë të Komitetit, mendohen se janë një nga arsyet kryesore të dështimit të operacionit të financuar nga CIA (në qershor të vitit 1950, CIA akordoi 900 mijë dollarë ose rreth 9 milionë dollarë me vlerën e sotme të monedhës amerikane) për të përmbysur qeverinë e Tiranës. Në këtë operacion, përveç Ahmet Zogut e Mit’hat Frashërit, u përfshinë emra të njohur ballistësh, zogistësh e nacionalistësh të kohës së luftës, si: Abaz Kupi, Abas Ermenji, Gjon Markagjoni, Said Kryeziu, Ismail Vërlaci, Hamit Matjani e të tjerë.
Ahmet Zogu ka qenë një mjeshtër i prapaskenave, kurtheve dhe vrasjeve politike prapa krahëve. Në kohën e mbretërimit të tij janë bërë disa nga vrasjet politike më të famshme, sikurse janë ato të Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Avni Rustemit e mjaft patriotëve të tjerë. Vija logjike e mendimit të shpie se edhe në vrasjen e Mit’hatit mund të jetë tërthorazi dora vrasëse e ish-mbretit. Njerëzit e Zogut ndodheshin në kryesinë e Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe rrinin bashkë me Mit’hatin, hanin e pinin së bashku. Kush më mirë se ndonjë prej tyre mund të ketë përshpejtuar vdekjen e tij? Ishte një luftë për pushtet dhe Zogu po përgatitej për t’u rikthyer në Tiranë pas përmbysjes së qeverisë së Enver Hoxhës.
Po sjellim në vijim, fragmentin nga libri i Shaqir Salihut.
Kush më njohu me Mit’hat Frashërin
Nëse unë u pendova vite më vonë, se përse nuk nisa punë që në fillim të 1973- shit në Zërin e Amerikës, kjo nuk ndodhi kurrë për njohjet e reja që krijova, pas takimit që pata me pjesëtarët e stafit të shërbimit në shqip. Përkundrazi. Siç e përmenda edhe më sipër, Talat Karagjozi më dha adresën dhe numrin e telefonit. Talati kishte qenë pjesë e Ballit Kombëtar. Ai jetonte prej vitesh në ShBA, që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur së bashku me kryetarin, Mit’hat Frashërin, dhe disa ballistë të tjerë, ishin larguar nga Shqipëria, si pasojë e instalimit të diktaturës komuniste atje. Talati e disa ballistë të tjerë, asokohe tepër të rinj, kishin qenë mjaft të afërt me Mit’hatin. Madje, e kishin si baba shpirtëror dhe politik. Siç më ka treguar vetë Talati, Mit’hati i quante “bij të tij” të gjithë ata djelmosha.
Mit’hat Frashëri u nda nga jeta në vitin 1949 në Nju Jork. Kishte vdekur në prehrin e Talatit. Ai vdiq i dergjur larg atdheut. U shua në dhe të huaj, pa e realizuar ëndrrën e tij, të kahershme për një Shqipëri etnike, të lirë, demokratike e të begatë. U shuajt i baltosur nga regjimi gjakatar dhe terrorist i Enver Hoxhës. Fatkeqësisht, edhe në ditët e sotme, në Shqipëri e njohin Mit’hat Frashërin si kreun e Ballit Kombëtar, që sipas propagandës komuniste 50-vjeçare në Shqipëri, ishte e keqja e vendit. Shumë vetë mendojnë se Mit’hati udhëhoqi një rrymë reaksionare në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke bashkëpunuar me nazistët në dëm të atdheut. Por, ata e kanë gabim. Ai është ndoshta një prej njerëzve që ka luftuar më shumë për Shqipërinë. Kur them Shqipërinë, nuk u referohem atyre 28 mijë kilometrave katrorë, që u caktuan padrejtësisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, nga fuqitë e mëdha. Unë nënkuptoj Shqipërinë etnike me të katërta vilajetet. Dhe Mit’hati e njihte dhe e donte çdo pëllëmbë të Shqipërisë, nga Nishi e deri në Prevezë; nga Shkupi e deri në Adriatik.
Për Mit’hatin, në përvjetorin e dytë të vdekjes së tij, intelektuali i madh dhe ish-udhëheqësi i komitetit Shqipëria e lirë, Hasan Dosti pati thënë:
Mit’hat Frashëri është fytyrë e madhe! Koha nuk e hedh në harrim! Përkundrazi. I lartëson emrin. I shton lavdinë. Mit’hati është njeri i racës së zgjedhur, i gjakut të kulluar, i familjes së ndritur. I biri i Abdylit të Lidhjes së Prizrenit dhe Dumes, nipi i Samiut dhe Naimit, viganëve të Rilindjes Kombëtare.
Mit’hati, djali i Abdyl Frashërit dhe nipi i Samiut dhe Naimit, ishte një nga firmëtarët e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Ishte një prej ministrave të qeverisë së parë të shtetit të ri shqiptar, qeveri që kishte në krye Ismail Qemalin.
Mit’hati ishte i pari që përuroi “institucionin e dorëheqjes”, duke u larguar nga qeveria e Vlorës në mars 1913, pasi nuk pajtohej me copëtimin e territoreve shqiptare që po bënin fuqitë e mëdha, në favor të fqinjëve tanë grabitqarë. Ai nuk pajtohej me mefshtësinë e qeverisë, por donte që shqiptarët, i madh e i vogël, të luftonin për mbrojtjen me gjak të çdo pëllëmbe tokë.
Mit’hati ishte intelektuali dhe politikani që bëri kaq shumë për Shqipërinë etnike dhe që u gropos nga historiografia komuniste. Ai la një varg dishepujsh në komunitetin shqiptar në Amerikë, të cilët ruanin të njëjtën atdhedashuri. Shumë të tjerë ishin shpërndarë edhe gjetkë nëpër botë. Pasardhësi i tij në krye të Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji, jetonte e vepronte në Paris. Është e njohur në vepra e në dokumente edhe veprimtaria e tij, për një Shqipëri etnike, bashkë me Kosovën dhe trojet e tjera nën ish-Jugosllavi apo Greqi. Ndërsa, në Shqipërinë londineze, për pesëdhjetë vjet Kosova mbeti tabu. Enver Hoxha dhe ithtarët e tij, tradhtarët dhe terroristët, e keqja e vetvetes për shqiptarët, mjaftoheshin të konsolidonin një pushtet gjakatar në ato 28 mijë kilometra katrorë, duke shtypur shqiptarët në favor të tyre dhe duke harruar pjesën tjetër të kombit. Veç kësaj, ata zhduken historinë. Ata zhdukën atdhedashurinë. Ata shkatërruan një brez të tërë atdhetarësh dhe intelektualësh, për të ndërtuar një njeri të ri, siç u pëlqente ta quanin. E krijuan me të vërtetë njeriun e ri, por ai njeri i ri ishte cung.
Kishte veshë, por nuk dinte të dëgjonte. Kishte sy, por nuk shihte, kishte mendje, por i ishte larë nga dogma komuniste. E kishin harruar Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare. Të rinjtë që lindën nën komunizëm nuk e kishin njohur fare. Me pak, fjalë, ky regjim terrorist shkatërroi njeriun. Shkatërroi kombin. Pasojat e atij shkatërrimi po ndihen dhe do të ndihen gjatë për kombin tonë. Shpresoj që të mos zgjasë përjetësisht, përndryshe një fat edhe më i zymtë do e ndjekë atdheun tonë fatkeq.
Një ditë Talati më ka rrëfyer edhe dyshimin që e brente. Mit’hati kishte vdekur në moshën 69-vjeçare, pa pasur asnjë lloj shqetësimi shëndetësor. Përkundrazi, ai gëzonte shëndet të plotë. Tri ditë, përpara se të vdiste në duart e Talatit, Mit’hati ishte takuar me spiunin e dyfishtë Kim Filbi. Asokohe, ende nuk dihej se Filbi, që hiqej si një agjent perëndimor, në fakt u shërbente interesave të Rusisë dhe komunistëve në tërësi. Filbi, i cili minoi misionet e atdhetarëve shqiptarë për të rrëzuar komunizmin në Shqipëri me ndihmën e ShBA-së dhe Britanisë, ndoshta mund ta kishte helmuar Mit’hatin. Ende mbetet mister vdekja e atij njeriu dhe atdhetari të madh. /Dita/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme