“Jam shumë i lumtur që zgjedhjet u zhvilluan në përputhje me ligjin dhe kushtetutën dhe besoj se ato do ta stabilizojnë territorin, pavarësisht nga diferencat, që ekzistojnë në lidhje me statusin", tha Jeremic të hënën në mbrëmje në përfaqësinë e Komisionit Evropian në Berlin.

Shefi i diplomacisë serbe nuk donte t’i komentonte rezultatet paraprake të zgjedhjeve, të cilat si qeveria e Kosovës, ashtu edhe Bashkimi Evropian i ka konsideruar të paligjshme, por shtoi: “Zyrtarët që do të dalin prej tyre do të bashkëpunojnë shumë ngushtë me të gjithë aktorët e rëndësishëm legalë në krahinë për të punuar në të mirë të të gjithë popullsisë brenda krahinës".


Jeremic u shpreh optimist në prag të takimit të ardhshëm të ministrave të jashtëm të BE-së dhe homologëve të tyre ballkanikë, që do të zhvillohet të mërkurën në Sarajevë. "Jam i lumtur që kemi gjetur një mënyrë për të qenë atje, pa kompromentuar pozicionet kushtetuese të asnjërit, e sidomos atë të Serbisë", tha ai.

Pyetjes se a do të takohet ai me ministrin e jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, Jeremic iu përgjigj tërthorazi: "Të gjithë ministrat e jashtëm do të jenë atje, dhe ne do të shoqërohemi nga UNMIK-u dhe PSG (Institucionet qeverisëse provizore). Unë nuk e di, se a do të jetë zoti Hyseni, apo dikush tjetër në delegacionin e zotit Zannieri, por kushdo qoftë, unë do të bashkëpunoj me atë në kuadër të këtij takimi shumëpalësh", tha Jeremic. /DW/Telegrafi/