Jennifer Lopez është ylli kryesor i muziklit të ri që pritet me padurim, “Kiss of the Spider Woman”, dhe tashmë ka ndarë me publikun trailerin zyrtar të filmit, ku ajo shfaqet me një pamje krejtësisht të ndryshme – deri në atë masë sa duket e papërgjegjshme në disa skena.

Në këtë produksion, këngëtarja dhe aktorja e njohur shfaqet me një transformim të dukshëm, ku pjesërisht ka lënë mënjanë flokët e saj ngjyrë kafe për një paruke bionde, e cila ka mahnitur fansat.


Komentet pas publikimit të trailerit ishin entuziaste: “Duket e jashtëzakonshme me parukën bionde”, “J.Lo po synon Oscar-in”, “Së fundmi do të marrë një nominim për Oscar”, “Ky film duket fenomenal”, “Nuk po pres dot ta shoh – J.Lo duket dhe tingëllon e mrekullueshme” – ishin vetëm disa nga reagimet në rrjet.

Filmi “Kiss of the Spider Woman” është një dramë muzikore amerikane e vitit 2025, me regji nga Bill Condon. Premiera e tij u mbajt më 26 janar 2025, në Festivalin e Filmit në Sundance, ku mori reagime kryesisht pozitive nga kritika. Ndërsa në kinematë botërore pritet të shfaqet në muajin tetor.

Ngjarja zhvillohet në një burg në Argjentinë gjatë viteve ’80, në kohën e diktaturës ushtarake. Personazhi kryesor, Luis Molina (luajtur nga Tonatiuh Elizarraraz), është një frizer homoseksual që po vuan një dënim tetëvjeçar për sjellje të pahijshme.

Për të përballuar tmerrin e përditshëm të burgut, Molina gjen shpëtim në botën e imagjinatës, duke krijuar filma në mendjen e tij, ku personazhi kryesor është Ingrid Luna (interpretuar nga Jennifer Lopez) – një yll filmash, por edhe figura misterioze e njohur si “Spider Woman”, që vret viktimat e saj me një puthje.

Jeta e Molinës ndryshon kur në qelinë e tij sillet një i burgosur i ri – Valentin Arregui Paz (luajtur nga Diego Luna), një marksist me bindje të forta politike. Mes tyre lind një marrëdhënie e pazakontë dhe thellësisht njerëzore, që e transformon të dyve në mënyra të papritura.

Ky rol pritet të jetë një ndër më të fuqishmit në karrierën kinematografike të Jennifer Lopez, me shumë kritikë që tashmë po parashikojnë një nominim të merituar për çmimin Oscar. /Telegrafi/