Foshnja përgatitet fort për botën e re
Bebja juaj tani duket tamam ashtu siç do të duket në takimin e parë, vetëm shumë më e hajthme, dhe ja çfarë ndryshimesh që mund të prisni në javën e njëzet e katërt të shtatzënisë.
Çfarë po ndodh me beben?
Bebja juaj duket pothuajse i njëjtë me atë kur të lindë! Tani peshon rreth 540 gramë dhe është rreth 30 cm e gjatë (si një kalli misri). Ajo duket mjaft e hajthme, por së shpejti do të fillojë të shtojë peshë.
Trupi i saj prodhon qeliza të bardha të gjakut që e ndihmojnë atë të luftojë infeksionin. Tani truri zhvillohet me shpejtësi.
Bebja vazhdon të praktikojë frymëmarrjen. Në mushkëri janë formuar tuba që do të marrin dhe do të nxjerrin ajrin dhe janë zhvilluar gjithashtu enët e gjakut që më vonë do të “bartin” oksigjenin në të gjitha pjesët e trupit. Qelizat në mushkëri prodhojnë surfaktant – një substancë që do ta ndihmojë beben të marrë frymë kur të vijë në botë, transmeton Telegrafi.
Çfarë po ndodh me mamin?
Çdo pjesë e trupit ju kruhet? Nën ndikimin e hormonit estrogjen, i cili sekretohet gjatë shtatzënisë, mëlçia lëshon bilirubinën në gjak, e cila shkakton këtë kruajtje (pruritis shtatzënie).
Një numër grash shtatzëna mund të zhvillojnë diabet gestacional – një lloj diabeti që zhvillohet gjatë shtatzënisë (zakonisht midis javëve të 24-të dhe 28-të), kështu që do të ishte mirë të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak.
Diabeti i patrajtuar rrit rrezikun e komplikimeve gjatë lindjes vagjinale dhe rrit mundësinë që lindja të përfundojë me prerje cezariane.
Zbuloni se cilat simptoma tregojnë lindjen e parakohshme.
Çfarë duhet të bëni?
Mbroni lëkurën tuaj nga plasaritjet. Është koha që të filloni të kujdeseni për lëkurën tuaj me kremra kundër strijave, në mënyrë që të mos keni shenja të shëmtuara pas shtatzënisë.
▪ Shkruani një letër fëmijës. Në një fletë letre, përshkruani ndjenjat tuaja për fëmijën, shkruani shpresat, ëndrrat dhe dëshirat tuaja për fëmijën, si dhe përkufizimin tuaj se çfarë do të thotë të jesh një nënë e mirë. Nëse shkrimi nuk funksionon për ju, bëni një kolazh ose një kuti kujtimi të përbërë nga momentet e shtatzënisë. Shkruani nga zemra dhe me ndihmën e imagjinatës suaj, sepse pas pak vitesh edhe ju edhe fëmija juaj do ta konsideroni këtë letër një thesar.
▪ Zgjidhni një emër për fëmijën. Nëse nuk keni bërë një listë me emra për fëmijën tuaj, tani është koha. Librat me emra mund të jenë të dobishëm. Pas lindjes, do të keni edhe disa ditë për të finalizuar vendimin tuaj, përpara se të regjistroni fëmijën. Zgjedhja e një emri është një vendim i rëndësishëm dhe mund të jetë një vendim argëtues. /Telegrafi/