"Jashari nuk shitet pa çmimin e duhur" - Club Brugge përmes trajnerit i vendos kufijtë Milanit

Trajneri i Club Brugge, Nicky Hayen, konfirmon se Milani nuk është i vetmi klub i interesuar për Ardon Jasharin, por thekson se situata është “e qartë”, mesfushori duhet të kthehet në stërvitje dhe asgjë nuk ndryshon pa marrëveshje me klubin.
Milani ka gjetur akordin personal me 22-vjeçarin, por ende nuk ka bindur Club Bruggen, që ka refuzuar të gjitha ofertat deri tani. Çmimi i kërkuar nga klubi belg mbetet 40 milionë euro.
Jashari nuk mori pjesë në finalen e Superkupës së Belgjikës dhe ka shmangur disa aktivitete me ekipin, ndërsa tani është deklaruar edhe trajneri Nicky Hayen.
"Situata është shumë e qartë. Ai duhet të kthehet në stërvitje të hënën. Në futboll, disa gjëra mund të jenë shumë të komplikuara. Kjo është me të vërtetë një situatë komplekse. Ndihem i sigurt se klubi do ta trajtojë siç duhet. Do ta shohim se si do të dalë", deklaroi trajneri Hayen, i cili shtoi se e mbështet plotësisht klubin.
Ndërkohë, kapiteni Hans Vanaken dje deklaroi se nëse Jashari kthehet, skuadra e pret krahë hapur.
“A do të rikthehet Jashari në stërvitje të hënën? Ne do ta presim me krahë hapur. E kuptoj atë. Edhe unë nëse do të isha i ri dhe në pozitën e tij, edhe unë do të doja të shkoja tek Milani”, ka thënë Vanaken.
West Ham dhe Nottingham Forest gjithashtu kanë shfaqur interes, por dëshira e vetme e Jasharit është transferimi në Milan. Negociatat vazhdojnë./Telegrafi/





































