LAJMI I FUNDIT:

Ismail Kadare, gjeniu i letrave shqipe!

Ismail Kadare, gjeniu i letrave shqipe!

I cilësuar si njeriu i librit, Fituesi i çmimit, “The Man Book International”, pastaj i atij Princi i Asturias, gjeniu i letrave shqipe, nominuesi i çmimit Nobel, Ismail Kadare, qëmoti ka kapërcyer Ylberin dhe është ngritur në Olimpin e famës dhe të krenarisë.

Kadare, tashmë është bërë një emër e respektuar në gjithë botën, sepse deri më tashti është përkthyer në mbi dyzet gjuhë të mëdha. Emri i tij ka hyrë në histori dhe përmes letërsisë ka bërë histori(artistike)! Ndonëse vetë nuk pranon se ka qenë disident, romanet e tij janë një rebelim ndaj kohës dhe regjimit, por edhe një lament për Liri dhe Demokraci. Fjala e tij vlerësohet dhe çmohet në të gjitha qarqet intelektuale të botës, prandaj ai është bërë sinonim i letërsisë shqipe, duke e bërë atë të çmuar, të lexuar dhe të emancipuar.

Kadare, vazhdimisht ka qenë i angazhuar për çështjen e kombit dhe ka punuar që shqiptarët të jenë të barabartë me të gjithë popujt në botë. Mirëpo, ai nuk nguron që, kur e do nevoja, edhe të kritikojë ‘defektin e lindur’ të tyre, sidomos kur është fjala për çështjet madhore kombëtare, ku kërkohet një unison (zë i vetëm)!

Ismail Kadare me guximin e tij prej intelektuali e dijetari, ka kritikuar në vijimësi, padrejtësitë që janë bërë në kurriz të shqiptarëve, duke e ngarkuar me peshën e fajit një pjesë të botës dhe duke grisur kështu heshtjen e tyre ogurzezë dhe fushatën fillzezë, për shqiptarët, kinse si prishës të qetësisë së Ballkanit!
Pikërisht për të demaskuar këtë fushatë, ai ka botuar librin e tij “Mbi krimin në Ballkan”, duke adresuar fajtorët e vërtetë për të gjitha katrahurat dhe babëzitë e shekullit njëzet!


Lidhur me këtë libër dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me letërsinë dhe shqiptarët, por edhe për segmente të tjera të rëndësisë së veçantë, ne zhvilluam këtë bisedë, të cilën po e sjellim në vazhdim, gjithnjë me drojën se kemi lënë shumëçka pa thënë.

Bisedoi: Vera Pelaj

Para disa muajsh publikuat librin “Mbi krimin në Ballkan”, i cili përmban letërkëmbime me personalitete te shquara ndërkombëtare. Pse vendosët ta publikoni pikërisht në atë kohë?
Ismail Kadare: Ky libër është në kohën e vet. Ka shumë kohë që ky libër ka qenë në kohën e vet. Kjo është një dëshmi e domosdoshme, e ngutshme pikërisht sot. Më mirë se kushdo, ju duhet të jeni në dijeni të fushatës që po zhvillon Serbia kundër të vërtetës në Kosovë. Fushata serbe është në kulmin e saj. Kjo fushatë është kundër së ardhmes së Kosovës. Ajo është kundër gjithë kombit shqiptar. Rrjedhimisht ky është problemi ynë numër një. Këtë nuk e kuptojnë vetëm militantët e skajshëm të partive. Për ta problemi numër një, i pari dhe i fundit, është ai që lidhet me partinë së cilës i përkasin. Militantizmi i skajshëm partiak është sëmundje e re që po bën kërdinë tek ne. Në qoftë se kjo patologji nuk luftohet, ajo do të sjellë tre të këqija të mëdha : rrezikimin seriozisht të demokracisë, thyerjen më dysh të kombit, ftohjen me aleatët perëndimorë.

Gjithnjë e më shpesh po flitet për këtë militantizëm që dëmton interesat e Shqipërisë. Çka mund të na thoni diçka më tepër?
Ismail Kadare: Natyrisht. Mendoj se rrënjët e së keqes lidhen me një problem të vjetër, atë të përçarjes. S’jemi vetëm ne që vuajmë prej saj, por , siç i thonë fjalës, secili shikon ku pikon pullazi i vet. Mendoj se sëmundja e përçarjes u rishfaq me forcë atë fillim gushti të vitit 1943, kur në shtabin komunist shqiptar erdhi lajmi se një marrëveshje madhore ishte arritur. Ishte fjala për një pajtim ndërshqiptar, për luftë të përbashkët kundër fashizmit të dy forcave kryesore politike. Siç tregojnë dëshmitarët e shumtë, ky lajm i madh , që do të duhej të ndryshonte historinë shqiptare, u prit sikur të ishte lajmi më i zi në botë. I dërguari jugosllav, Miladin Popovici, pas britmave dhe sharjeve në serbisht dhe shqip, për një turp historik, pasojat e të cilit i vuajmë ende sot, e detyroi palën komuniste të prishte marrëveshjen e pajtimit dhe ta zëvendësonte me një tjetër pakt, një tjetër program, atë të urrejtjes midis shqiptarëve.

Në librin tuaj për krimet në Ballkan e në Kosovë, disa herë keni shfaqur mendimin se Serbia ka përfituar nga heshtja që është mbajtur për to.
Ismail Kadare: Është pikërisht kështu. Ka rreth njëzetë vite që po përsëritet ky mesazh. Një pjesë e letrave që publikohen në këtë libër janë shkruar përpara njëzetë vitesh. Kam kritikuar heshtjen botërore, në kohën që Kosovën nuk e zinte në gojë askush, dhe më pas heshtjen shqiptare për krimet. Që të mos ketë keqkuptime, duhet të them se natyrisht që është folur dhe shkruar për krimet. Në këtë libër janë përmendur shembuj të tillë. Por ato janë ende të pakta , në krahasim me tmerret që kanë ndodhur. Në qoftë se bota do të merrte vesh të vërtetën e plotë, Serbia nuk do të guxonte të fryhej sot si gjel, por do të rrinte kokulur. Dhe kjo, përveçse do të hidhte dritë mbi të vërtetën e Kosovës, do të ishte në të mirën e gjithë rajonit, duke përfshirë këtu edhe të mirën e vetë Serbisë.

Vuk Drashkovic, njëri ndër personat më nacionalistë serbë, do të thoshim antishqiptar, në letrën dërguar juve më 1987, ju ka akuzuar për trillime në imagjinatën tuaj për historinë e shqiptarëve, veçmas të Kosovës. Ai madje shkruante se krimet dhe masakrat nuk po i bëjnë serbët por shqiptarët!
Ismail Kadare: Kjo letër e publikuar një çerek shekulli më parë është tepër kuptimplote për të kuptuar dramën e Kosovës. Ajo dëshmon se si është projektuar krimi, si do të kryhet ai krim, së fundi si do të përmbyset e vërteta, duke e hedhur fajin mbi shqiptarët. S’më ka habitur asnjë herë letra e Draskovicit. Ajo është në logjikën e projektit serb. Siç është shpjeguar në libër, ajo që më ka habitur kanë qenë sulmet nga krahu shqiptar. E sidomos nga disa shqiptarë të Kosovës. Do përpiqem ta shpjegoj thjesht: Tragjedia e Kosovës, si çdo tragjedi, pati prologun, zhvillimin dhe epilogun e saj. Bota, në radhë të parë Perëndimi, e ndëshkoi Serbinë. Serbia nuk e pranoi dënimin, pra, siç ndodh me gjyqet, kërkon sot apelim. Thelbi i çështjes nuk janë imtësira, por çështja themelore e moralit njerëzor: krimi. Në këtë shqyrtim të madh, si në çdo gjyq, moral ose të mirëfilltë, sulmi kundër dëshmitarëve ka rëndësi themelore. Siç është shpjeguar në këtë libër, duke u sulmuar autori, në të vërtetë është sulmuar dëshmitari. Dhe dihet se në një proces të tillë, të sulmosh dëshmitarin, dashur pa dashur bëhesh pjesë e krimit.

Zotëri Kadare, Kosova dhe Serbia vazhdojnë kohë pas kohe të bisedojnë për çështje teknike. Meqë e njohim mirë strategjinë serbe, a mund të pritet marrëveshje reale që, më në fund, të arrihet qetësia në këto troje?
Ismail Kadare: Do të doja shume të ndodhte një mirëkuptim nga ana serbe, por tani për tani shpresa është e paktë. Pak kohë përpara se ta kryenim këtë intervistë, shumë media evropiane jepnin përsëri pjesë nga fushata e pandërprerë serbe, për rishikimin e dramës së Kosovës. Duke dëgjuar fjalimet delirante të ministrit të palodhur Jeremic, zbehet çdo shpresë për mirëkuptim. Drama e Kosovës ka qenë një çështje e madhe për moralin evropian dhe atë botëror. Ish-kryeministri i Anglisë, Tony Blair, në kujtimet që sapo ka botuar, shkruan se nga Kosova ka njohur më mirë shumë gjëra, duke përfshirë dhe vetveten. Është e habitshme se vetëm Serbia, ajo që do të duhej të nxirrte mësimin kryesor, e refuzon një gjë të tillë.
Do të doja që Evropa, gjithë bota, të thellohej më shumë se ç’do të thotë mosnjohje e Kosovës nga Serbia. Kjo mosnjohje nuk është një aksident diplomatik. Është shumë më keq. S’do ta teproja po ta quaja një sfidë primitive kundër çdo morali. Serbia jo vetëm ka detyrim ta njohë Kosovën, por duhej të ishte ndër shtetet e para që ta kryente këtë akt. Serbia ka bërë krime në Kosovë. Njohja e Kosovës do të ishte akti i parë i heqjes dorë nga doktrina që i polli këto krime. Mosnjohja e Kosovës do të thotë një shpallje publike se Serbia nuk heq dorë nga një e kaluar që s’e nderon. Në rastin e Kosovës është edhe më keq. Mosnjohja e Kosovës është mospranimi i lirisë së një populli tjetër, e kjo do të thotë mospranimi i ekzistencës së tij.
Me këtë shpallje, me këtë përkëdhelje të krimit të vet, Serbia synon të hyjë në Evropë. Ajo është inkurajuar nga disa rrethana, e ndër to është heshtja për këto krime. Heshtja për të vërtetën është gjithmonë e keqe. Por ajo është dyfish e tillë kur ndodh në një tragjedi. Në tragjedi heshtja e korit merr një kuptim të veçantë. Do të shtoja se me këtë mosnjohje është e vërtetë se Serbia e pengon Kosovën, por s’duhet harruar se më shumë se Kosovën ajo pengon vetveten. Mosnjohja e rrëzon maskën e një Serbie të re, atë Serbi që do ta dëshironim të gjithë. Mosnjohja dëshmon, përkundrazi, një Serbi të vjetër, të dënuar. Me dorëzimin e Mladicit, një veprim që, ndonëse i vonuar, u përshëndet me të drejtë nga të gjithë, Serbia kujton se e ka shlyer borxhin që ka ndaj fqinjëve të tjerë, veçanërisht Kosovës. Vazhdimi i mosnjohjes së Kosovës, e zhvlerëson këtë akt, thekson anën tregtare të tij, madje më keq, thekson shpërfilljen raciste ndaj njërit prej tre popujve kryesorë në Ballkan, shqiptarëve. Ky mendim i fundit, mund të duket një teprim nga ana ime, por, po të kujtojmë refuzimin e Serbisë për të marrë pjesë në takimin e fundit në Varshavë, vetëm se në këtë takim merrte pjesë presidentja e porsazgjedhur e Kosovës, kjo mjafton për të kuptuar se e keqja nuk shkulet aq lehtë në gadishull.

I jeni drejtuar dhe Papa Gjon Palit të Dytë në shtator të vitit 1991, për ta ndihmuar popullin e Kosovës. Cilat ishin të dhënat që ju parandiet se Kosovën po e priste diçka e tmerrshme?
Ismail Kadare: Besoj se nuk kam bërë ndonjë gjë të re. Në vitin 1919, kur po zhvillohej konferenca e Paqes në Paris, e ku rrezikohej përsëri Shqipëria, përfaqësia e delegacionit shqiptar që udhëtoi në Romë, për t’i kërkuar ndihmë Papës, qysh në fjalët e para i bëri me dije se po vinte në emër të delegacionit shqiptar, shumica e të cilëve ishin të besimit mysliman. Shembuj të tjerë kanë ridëshmuar këtë tipar të madh të emancipimit shqiptar.

Populli shqiptar ka tri fe dhe disa komunitete fetare. A është kjo pasuri kombëtare apo pengesë, apo shkak, për të cilin jemi ndëshkuar nga disa qendra ndërkombëtare të vendosjes?
Ismail Kadare: Përpara se të përcaktohet si favor apo si pengesë, mendoj se kjo është një gjendje. Një gjendje e cila nuk ka nevojë të vihet në diskutim, as të nxitë pyetje apo pikëpyetje. Ashtu siç nuk shtrohen të tilla për prindërit që na kanë lindur, për kontinentin ku është vendosur atdheu ose për fatin historik. Duke qenë pjesë e kushtëzimit tonë, është njëkohësisht pjesë e vullnetit tonë për të qenë bashkë, çka përbën një nga tiparet themelore të kombit. Do të shtoja se harmonia fetare është tipar i evropianizimit tonë natyral. Ajo është vlerë e së sotmes, e aq më fort e së ardhmes. Ndaj ruajtja e harmonisë fetare është një mision i madh. Kohët e fundit në shtypin shqiptar është shfaqur një shqetësim i drejtë lidhur me provokimet me ngjyrim fetar, që mund të bëjë Serbia pikërisht në zonën veriore, që ajo pretendon t’ia marrë Kosovës. Shpresoj që autoritetet e Kosovës nuk do të gjenden në befasi.

Në shkrimin tuaj “Kapardisja shqiptare”, në librin “Mbi krimin në Ballkan”, ju ftoni liderët aktualë shqiptarë, thjesht të vetëdijesohen. Sa është kjo e vështirë të bëhet dhe na thoni diçka për faktorin shqiptar në Ballkan?
Ismail Kadare: E kam shkruar dhe botuar këtë shkrim 12 vite më parë. Do të doja që të mos e përfshija në këtë libër dhe kjo do të ishte një gjë e gëzueshme për mua si autor. Do të ishte e gëzueshme sepse kjo do të thoshte që ky problem ishte i kapërcyer. Për fat të keq, nuk është aspak ashtu.
Më lejoni t’i kthehem ditës fatale të gushtit 1943, kur, siç e thashë më lart, Shqipëria, e mirëfilltë, e natyrshme, u spraps përpara Shqipërisë partiake. Energjia shqiptare ndryshoi drejtimin, pasioni kryesor i saj u bë lufta e klasave, përçarja. Mendoj se ka ardhur koha të ndreqet ky gabim historik. Sigurisht që demokracia s’mund të mendohet pa partitë kundërshtare. Ato bëjnë pjesë në thelbin e saj. Por ato duhet të zbuten, të qetësohen. Një mendim primitive ballkanik ngul këmbë se partitë sa më të ashpra të jenë, aq më të forta bëhen. Është krejt e kundërta. Është e dëmshme për to, por është sidomos e dëmshme për vendin. Sa më i lartë të jetë tensioni në një vend, aq më tepër kombi dobësohet. Shikoni SHBA, shtetin më të fuqishëm demokratik të botës. Një nga sekretet e mëdha të forcës së tij është pikërisht tensioni relativisht i ulët midis dy partive kryesore.

Z. Kadare, gjithsesi gjatë kësaj bisede nuk mund t’i ikim dhe pyetjeve që kanë të bëjnë me letërsinë. Ju jeni ambasadori i letërsisë shqiptare në botë. Cili është niveli i letërsisë shqipe sot, përkatësisht a mund të flitet për nivel evropian apo botëror?
Ismail Kadare: Ka një diskutim për këtë gjë në Shqipëri dhe në Kosovë. U bë mot, dalin ca zëra se letërsia nuk është ndonjë gjë. E shajnë, e përçmojnë, siç ka gjithmonë në çdo vend. Dalin ata që janë mohues, negacionist. Për mua, kjo e para herë, është një mashtrim. Nuk është e vërtetë. Letërsia shqipe është nga më të mirat në Ballkan, për të mos thënë se është më e njohura në Evropë sot. Kurse prirja për ta përçmuar është një antishqiptarizëm i thjeshtë, ardhur nga arsye meskine, nga njerëz të papërgjegjshëm. Por, ka disa edhe tek ju edhe tek ne, ca si gjysma akademikë, akademikë, ca sharlatanë, se kanë qejf ta thonë këtë gjë. Letërsia shqipe ka marrë çmimet më të mëdha ndërkombëtare. Ka përhapje jashtëzakonisht të gjerë, ka rreth 15 shkrimtarë shqiptarë të përkthyer sot në perëndim.

Keni thënë se shkrimtari Miroslav Kërlezha, është shkrimtar, i cili e ka mbrojtur shumë kombin shqiptar.
Ismail Kadare: Po është e vërtetë. Është shembulli i shkrimtarit ballkanik, shembulli i modelit moral, se si mund të mbrosh një popull tjetër nga dhuna, nga propaganda, nga racizmi sidomos. Esetë e tij të shkruara në vitet 30-të, janë brilante. Brilante në kuptimin e madh artistik dhe moral të fjalës. Miroslav Kërlezha, vetëm për ato ese që shkroi, që paralajmëroi racizmin që po ngjallej, po hovëzohej në Jugosllavi, meriton një bust, një statujë në Tiranë. E meriton plotësisht. Nuk po flasë për ju, për Prishtinën, atë vendoseni ju, por për Shqipërinë. Unë kam bindjen se duhet ta bëjë këtë gjë. Ka detyrë morale ta bëj.

Dhe një pyetje të fundit z. Kadare. Në dy sprovat tuaja “Mosmarrëveshja” dhe “Mbi krimin në Ballkan” i jeni kthyer disa herë çështjes së faktorit shqiptar në gadishull. A mund të thoni diçka më tepër?
Ismail Kadare: Çështja e faktorit shqiptar mund të përmblidhet në një frazë: shqiptarët kanë qenë në qendër të historisë së Ballkanit dhe sot janë kthyer përsëri në qendër. Ky fakt, fakti që ky kthim u bë në formën befasuese të dy shteteve, nuk ndryshon asgjë në thelbin e çështjes. Kryesorja është që populli shqiptar, në këtë fazë të re të historisë së tij, ka rastin të tregojë , përpara vetes në radhë të parë, por përpara aleatëve tanë gjithashtu, se ky rikthim i tij është i mbarë, i shëndetshëm, drejtpeshues për të dhe për të tjerët. Me fjalë të tjera, s’kemi të bëjmë këtu me një kërkim revanshi apo mburrjeje, e aq më pak me një synim për të dëmtuar dikë. Kam bindjen se kjo prani e fuqishme shqiptare do të thotë, në radhë të parë, përgjegjësi e dyfishtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Dhe seriozitet i dyfishtë gjithashtu.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova

Magazina

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Evropa
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Turqia po zhvillon një raketë balistike hipersonike me rreze veprimi prej 1000 kilometrave

Turqia po zhvillon një raketë balistike hipersonike me rreze veprimi prej 1000 kilometrave

Turqia
Zbulohet arsyeja pse Messi refuzoi që të marrë pjesë në 125-vjetorin e Barcelonës

Zbulohet arsyeja pse Messi refuzoi që të marrë pjesë në 125-vjetorin e Barcelonës

La Liga
Kalo në kategori