“Ishte një ndeshje vërtet e çmendur, nuk e di nëse e merituam fitore" - Tudor flet pas triumfit ndaj Interit

Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, ka pranuar se nuk është i sigurt nëse fitorja 4-3 ndaj Interit ishte e merituar, por e ka përshkruar ndeshjen si një “të çmendur” dhe ka lavdëruar reagimin e skuadrës së tij deri në sekondat e fundit.
Juventus kaloi dy herë në epërsi me Lloyd Kelly dhe Kenan Yildiz, për t’u rikuperuar nga Interi me dy gola të Hakan Calhanoglu dhe një goditje me kokë nga Marcus Thuram.
Pavarësisht vështirësive, Bianconerët u rikthyen në fund për të barazuar dhe më pas për të fituar falë golave të Khephren Thuram dhe 19-vjeçarit Vasilije Adzic.

Tudor e përshkroi golin e adoleshentit si një shpërblim për punën e bërë gjatë javëve të fundit.
“Gjatë muajve të fundit kemi punuar me të, për të përmirësuar disa zakone dhe ai reagoi me qëndrimin e duhur. Ai tregoi talentin e tij dhe shfrytëzoi mundësinë”.
“Ka një goditje nga distanca që është e rrallë në futboll. Ky gol duhet ta motivojë për të punuar edhe më shumë dhe për të rritur vetëbesimin e tij”, deklaroi fillimisht Tudor.
Trajneri italian pranoi se performanca e skuadrës pas pushimit nuk ishte optimale dhe Interi kishte filluar të dominonte.

“Në një ndeshje të tillë nuk ka favoritë, forma e mëparshme nuk ka rëndësi. Interi ka cilësi të jashtëzakonshme, është një ekip i klasit botëror. Performanca jonë nuk ishte perfekte, por dëshira dhe hyrja në fushë e lojtarëve që u aktivizuan nga stoli na ndihmoi të fitonim”, nënvizoi ai.
Ai gjithashtu komentoi qasjen taktike me Kenan Yildiz dhe mënyrën se si luajti skuadra.
“Ideja ishte të luanim me një mesfushë diamanti dhe Yildiz pas Vlahovicit. Nuk funksionoi krejtësisht siç e kishim menduar, por ai gjeti hapësira dhe kjo mund të jetë një opsion për të ardhmen, duke marrë parasysh talentin e tij dhe nevojën që të jetë më afër portës”, ka thënë Tudor.
Fitorja e sotme e mban Juventusin me rekord 100% në Serie A pas tre javëve, hera e parë që kjo ndodh që nga sezoni 2018-19.

“Ishte një ndeshje vërtet e çmendur, shumë gola dhe ulje-ngritje. Në fund, jemi shumë të lumtur që mundëm një ekip kaq të fortë” përfundoi ai. /Telegrafi/



















































