Një alpinist malajzian u shpëtua nga “zona e vdekjes” e malit Everest nga udhërrëfyesit dhe një tjetër alpinist.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Gelje Sherpa (Sherpa – një anëtar i një populli tibetian që jeton në shpatet e larta jugore të Himalajeve në Nepalin lindor dhe i njohur për mbështetjen e udhëtarëve të huaj dhe alpinistëve malorë”, 30 vjeç, po drejtonte një klient për në majën e Everestit më 18 maj, kur vuri re alpinistin malajzian të kapur për një litar dhe duke u dridhur nga temperaturat e ngrira.
Duke u nisur në veprim, çifti arriti ta mbështillte alpinistin në një dyshek gjumi dhe ta tërhiqte atë mbi 600 metra më poshtë nga një zonë e malit të njohur si “Ballkoni” – një pikë midis malit Everest dhe Lhotse (mali i katërt më i lartë në botë).
Ata kishin udhëtuar për rreth gjashtë orë përpara se Ngima Tashi Sherpa, një udhërrëfyes tjetër, t’i bashkohej shpëtimit.
“Ne e mbështollëm alpinistin në një dyshek gjumi, e tërhoqëm zvarrë mbi dëborë ose e bartëm me kthesa në shpinë”, ka rrëfyer Gelje Sherpa. “Të shpëtosh një jetë është më e rëndësishme se të lutesh në manastir”.
Një helikopter më pas e mori alpinistin – emri i të cilit nuk përmendet për arsye privatësie – nga kampi III i lartë 7,162 metra duke e dërguar poshtë në kampin bazë.
“Është pothuajse e pamundur të shpëtosh alpinistët në atë lartësi”, ka thënë Bigyan Koirala, një zyrtar për departamentin e turizmit. “Është një operacion shumë i rrallë”.
Siç bëhet e ditur më tej, nga një rekord prej 478 personave me leje të lëshuara nga Nepali për sezonin e ngjitjeve të Everestit nga marsi deri në maj, të paktën 12 kanë vdekur – numri më i lartë për tetë vjet.
Pesë të tjerë janë ende të zhdukur. /Telegrafi/