Ish klubi i Xherdan Shaqirit nis negociatat me Robert Lewandowskin

E ardhmja e Robert Lewandowskit te FC Barcelona mbetet e paqartë, teksa kontrata e sulmuesit polak skadon verën e ardhshme.
Sipas raportimit të BBC-së, 37-vjeçari është duke zhvilluar bisedime me klubin e MLS-së, Chicago Fire, duke hapur një skenar të ri për vazhdimin e karrierës së tij.
Raporti thekson se për klubin amerikan nuk ekzistojnë pengesa financiare për një operacion të tillë. Chicago Fire njihet edhe për faktin se për rreth dy vjet ishte pjesë e tij Xherdan Shaqiri, çka e bën klubin të njohur për afrimin e emrave të mëdhenj nga Evropa.

Megjithatë, MLS nuk është e vetmja alternativë për Lewandowskin. Interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur edhe klube nga Turqia dhe Arabia Saudite, kampionate që në vitet e fundit kanë qenë destinacion i shpeshtë për yjet me eksperiencë të madhe ndërkombëtare. Pavarësisht këtyre zërave, një qëndrim te Barcelona ende nuk është përjashtuar.
Lewandowski u transferua nga Bayern Munich te Barcelona në vitin 2022, për një shumë rreth 42 milionë euro. Që nga mbërritja në Spanjë, ai ka zhvilluar 164 paraqitje zyrtare me fanellën blaugrana, duke realizuar 109 gola dhe duke dhuruar 22 asistime, shifra që e konfirmojnë ndikimin e tij të madh në skuadër.
Lewa thuhet se preferon qëndrimin në “Camp Nou”, megjithatë klubi katalunas ka nisur kërkimin e një numri 9 për ta zëvendësuar polakun./Telegrafi/













































