Murat Mehmeti, ish-hetues i Policisë së Kosovës, ka zbuluar detaje të rëndësishme rreth Aleksandar Vlajiq, shtetas serb i Kosovës, i arrestuar për spiunazh.
Mehmeti ka treguar Vlajiq është një ish-koleg i tij në polici, me të cilin ka punuar për rreth 10 vite në Mitrovicë.
“Është një ish koleg i imi që kemi punuar rreth 10 vite në Mitrovicë. Është rekrutuar pas vitit 2002. Ka qenë strukturë e roje veturës dhe në dosjen e KFOR-it e ka nofkën ‘snajper’. Është rekrutuar nga Policia e UMNIK-ut dhe ka kryer akademinë policore ne Vushtrri, pastaj ka punuar oficer patrullues dhe për një kohë shumë të shkurtër është kyç në strukturën e inteligjencës regjionale, e cila neve që kemi qenë hetues na ka furnizuar me informacione. Natyrisht ka qenë koha kur është drejtuar nga UNMIK-u, por i njëjti ka vazhduar edhe deri në ndarjen e rajoneve. Janë ndarë dy drejtori rajonale, njëra në pjesën veriore ky ka vazhduar të punojë atje”, ka deklaruar Murati në Debat plus të RTV Dukagjini.
Ai shtoi se Vlajiq ishte i njohur si “snajper” në dosjet e KFOR-it.
Sipas Mehmeti, Vlajiq kishte lidhje me strukturat e sigurisë dhe ishte një klient i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
“Po flas personalisht. E di që ka pasur me emra të tjerë. Strukturat e sigurisë në atë kohë në Kosove iu kanë drejtuar me emra të tjerë. E mbaj mend që ka qenë i suksesshëm në punë, në planet e tij operative që ka punuar. Pra me punët që i ka kryer, punët BIA-s serbe, se pak e ka njohur gjuhën shqipe. Është i Suhodollit, qytetar i Mitrovicës”, ka thënë ai.
Megjithatë, pas vitit 2010, për shkak të çështjeve të besueshmërisë, ai u transferua në Zubin Potok.
Mehmeti nuk është i sigurt nëse Vlajiq u largua vullnetarisht apo me rekomandim të strukturave serbe.
“E di që ka qenë klient i AKI-së. Nuk e di pse është përjashtu prej Policisë së Kosovës, por e di që prej njësisë së Inteligjencës për shkak të besueshmërisë, mbas vitit 2010 është transferu në Zubin Potok. Nuk e di nëse është larguar vet apo me rekomandim të strukturave”, ka deklaruar ai.
Mehmeti gjithashtu përmendi një rast që ai kishte kryer me BIA-n serbe, të Bajram Asllanit, duke theksuar se Asllani ishte prezantuar si një prej personave më të rrezikshëm në Ballkan me lidhje me Al-Qaedan, por që në fakt kishte një inteligjencë të kufizuar dhe ishte i varfër. /Dukagjini/