Ish lojtari Paul Merson beson se Arsenali është në rrugë për të dominuar Ligën Premier këtë sezon, duke krahasuar skuadrën e Mikel Artetës me Chelsean e pamëshirshme të Jose Mourinhos gjatë periudhës së parë të portugezit në “Stamford Bridge”.

Duke folur pas fitores 1-0 të Arsenalit ndaj Crystal Palace, ish-mesfushori i “Topçinjve” lavdëroi strukturën mbrojtëse dhe konsistencën e ekipit londinez.


“Nuk shoh askënd që mund ta ndalojë Arsenalin. Janë një makineri efikase, por me futbollistë të shkëlqyer brenda asaj makinerie”.

“Ata më kujtojnë Chelsean e vjetër të Jose Mourinhos. Sapo ajo skuadër kalonte në epërsi, ndeshja praktikisht mbaronte. E njëjta gjë ndodhte edhe me skuadrën time të Arsenalit – shënonim, ktheheshim në mesfushë dhe e shihje në fytyrat e kundërshtarëve që e dinin se loja kishte mbaruar”.

Paul Merson

“E pashë të njëjtën ndjesi javën e kaluar kundër Atletico Madridit në ‘Emirates’. Sapo Arsenali kaloi në avantazh, loja u mbyll – Atletico e dinte. Dhe ky është realiteti me Arsenalin sot”

Sipas Mersonit, kundërshtarët as që po arrijnë të gjuajnë në portë, ndërsa statistikat mbrojtëse të Arsenalit janë “të paprecedenta”.

“Janë të mirëpërgatitur, efikasë dhe kanë lojtarë me fantazi që mund të krijojnë dhe shënojnë – pikërisht si Chelsea i Mourinhos. Do të mbetesha i tronditur nëse Arsenali nuk e fiton kampionatin”.

“Disa do të thonë se kanë mbetur edhe 30 ndeshje, por jemi vetëm një goditje në sezon – si ajo e Szoboszlait – larg nga pyetja: ‘Kush mund ta mposhtë Arsenalin këtë sezon?’”.

“Ata kanë rekordin më të mirë mbrojtës në gjithë Evropën, prandaj nuk kanë nevojë të shënojnë shumë për të fituar. Një gol mjafton për Arsenalin, dhe ky duhet të jetë një ndjenjë e jashtëzakonshme për sulmuesit e tyre”, deklaroi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app