Ish anëtarët e Komisionit për Histori nga Maqedonia e Veriut kanë publikuar një deklaratë me shkrim përmes së cilës ankohen për keqpërdorim të punës së tyre për qëllime partiake.
Ata akuzojnë Kryeministrin dhe ministrat në qeveri se i kanë vënë etiketë politike dhe në këtë mënyrë minojnë punën e tyre, duke iu përgjigjur thirrjeve të qeverisë se puna e tyre nuk ka qenë në drejtim të mbrojtjes së interesave kombëtare.
Përmes një njoftimi me shkrim ata kërkojnë që në përbërje të Komisionit të përfshihen edhe ekspertë të huaj nga UNESCO, Këshilli i Evropës apo OSBE.
“Gjatë javëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të deklaratave të paargumentuara, akuzuese dhe fyese të kryeministrit për punën e ish-anëtarëve të Komisionit, me të cilat ai i ndan qytetarët në “mbrojtës” dhe “jombrojtës” të interesave kombëtare sipas pikëpamjeve të tij personale.
Është edhe më e frikshme që Kryeministri me vetëdije po dërgon një mesazh autoritar dhe kërcënues se kushdo që nuk i përmbush pritshmëritë dhe pikëpamjet e tij politike do të etiketohet se nuk mbron interesat kombëtare”, thuhet në deklaratën e tyre.
Kryeministri Mickoski u përgjigj: “Në komision le të përfshihen ekspertë, por ish anëtarët do të duhet të përgjigjen se për çfarë kanë shpenzuar para të mëdha buxhetore në takimet me palën bullgare. Sipas Mickoskit, ata janë pajtuar për kapitullimin e historisë ashtu siç janë pajtuar Kovaçevski dhe Osmani./Telegrafi/