Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës bëjnë të ditur se janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një incident në Prishtinë pas mesnatës ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare.

Në njoftim bëhet e ditur se incidenti fillimisht ishte raportuar në Polici si rrahje në progres në rrugën “Dervish Qollaku” në Prishtinë në mes disa personave e ku dyshohej se në këtë rast është përshirë edhe zyrtari policor.


“Pas pranimit të informacioneve hetuesit e Inspektoratit Policor i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, është arrestuar zyrtari policor (jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile) me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ të cilit me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.

IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e përkohshëm ndaj zyrtarit në fjalë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve.

Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti. /Telegrafi/