LAJMI I FUNDIT:

Inteligjenca Artificiale zbuloi peshën e Kim Jong Un, thotë Koreja e Jugut

Inteligjenca Artificiale zbuloi peshën e Kim Jong Un, thotë Koreja e Jugut

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un besohet se peshon mbi 140 kg, sipas një vlerësimi të inteligjencës artificiale (AI).

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë një ligjvënës koreano-jugor të mërkurën në një deklaratë që pasqyron interesin për shëndetin e sundimtarit të fshehtë të Veriut.


Shëndeti i liderëve të Koresë së Veriut është zakonisht një sekret shtetëror, dhe spekulimet për gjendjen e liderit aktual Kim, që besohet të jetë 39 vjeç, janë përsëritur për shkak të pirjes së duhanit, shtimit të dukshëm në peshë dhe historisë familjare të problemeve kardiovaskulare.

“Ai u shfaq i lodhur me ‘rrathë të errët’ rreth syve gjatë daljes së tij publike më 16 maj dhe u vlerësua se peshonte mbi 140 kilogramë sipas analizës së AI”, u tha gazetarëve Yoo Sang-bum, një anëtar i komisionit parlamentar të inteligjencës nga Shërbimi Informativ Kombëtar.

Ligjvënësi tha se Kim besohej se vuante nga një çrregullim “i rëndë” i gjumit, duke cituar një raport të inteligjencës se Koreja e Veriut ka mbledhur intensivisht informacionin më të fundit mjekësor mbi trajtimin e pagjumësisë për zyrtarin e saj të lartë.

Mediat shtetërore të kontrolluara fort të Koresë së Veriut rrallë përmendin shëndetin e liderit, por në mars, gazeta e Veriut Rodong Sinmun tha se Kim punon deri në orën 5 të mëngjesit, duke e cituar atë të thoshte se ishte mësuar të punonte gjatë natës, raportoi agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut Yonhap.

Kim është një lider trashëgues i gjeneratës së tretë që erdhi në pushtet pasi babai i tij Kim Jong Il vdiq në vitin 2011 nga një atak në zemër. /Telegrafi/