Nis programi për prindërit e rinj në Mitrovicë

Drejtoria e Shëndetësisë në Mitrovicë ka njoftuar për fillimin e programit “Klasat për Nëna dhe Grupet për Prindrim (0–3 vjeç)”, i cili do të mbahet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.
Sipas njoftimit, programi është konceptuar si mbështetje e drejtpërdrejtë dhe profesionale për nënat dhe baballarët gjatë viteve të para të jetës së fëmijës, një periudhë që konsiderohet ndër më të rëndësishmet dhe më sfidueset për zhvillimin e tij.
Këto klasa udhëhiqen nga profesioniste shëndetësore të përkushtuara, përfshirë infektologen Albulena Ramadani dhe maminë Fatmire Azemi, të cilat do të ofrojnë informata të sigurta dhe të bazuara në praktika mjekësore dhe evidencë shkencore.
Në kuadër të programit, prindërit do të kenë mundësi të marrin udhëzime të qarta për kujdesin ditor, ushqyerjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës, si dhe mbështetje emocionale, duke krijuar një hapësirë për pyetje, ndarje përvojash dhe diskutime të hapura.
Nga Drejtoria e Shëndetësisë theksohet se, në një kohë kur informacionet në internet dhe rrjetet sociale janë shpesh kontradiktore ose të pasakta, këto klasa synojnë të ofrojnë dije të besueshme dhe profesionale, të ndërtuara mbi përvojë dhe kujdes të vazhdueshëm për familjen.
Autoritetet shëndetësore ftojnë prindërit që të bëhen pjesë e këtij programi, duke theksuar se prindërimi i informuar kontribuon në rritjen e fëmijëve më të shëndetshëm dhe në ndërtimin e familjeve më të forta. /Telegrafi/




















































