Industria e ndërtimit në qendër të vëmendjes, dita e parë e Expo Real Kosova 2025 mbyllet me sukses
Në një atmosferë plot gjallëri dhe interes të lartë, sot u hap zyrtarisht panairi "Expo Real Kosova 2025", një ndër ngjarjet më të mëdha të vitit në sektorin e ndërtimit, prodhimit dhe patundshmërisë.
Për tri ditë me radhë, mbi 45 kompani vendore po ekspozojnë qindra projekte, që nga materialet ndërtimore e deri te zgjidhjet për planifikimin urban dhe dizajnin e interierit.
Në ditën e parë të panairit, vizitorët patën rastin të shqyrtojnë një mori zgjidhjesh - që nga materialet bazë të ndërtimit, planifikimi dhe dizajnimi, e deri te ofertat për blerje apo investim në patundshmëri.
Veç prezantimeve dhe ekspozimit, dita e parë u shënua edhe nga panele diskutimi ku u ballafaquan përfaqësues të sektorit privat dhe atij financiar, me theks të veçantë në ndërtimin e qëndrueshëm dhe investimet e gjelbra.
Pjesëmarrësit theksuan përparimin e Kosovës në këtë drejtim dhe nevojën për bashkëpunim më të thellë ndërmjet sektorëve.
Më tutje, organizatorët theksuan se misioni i panairit është krijimi i një kulture të re investimi dhe bashkëpunimi mes bizneseve, si dhe ndërtimi i një tregu të fuqishëm dhe të qëndrueshëm vendor.
Dita e parë u përmbyll me sukses dhe interes të madh, ndërsa ftohen të gjithë qytetarët, profesionistët dhe të interesuarit që të vizitojnë panairin edhe në dy ditët në vijim, më 26 dhe 27 korrik nga ora 12 :00 deri në 20 :00 në Prishtina Mall, për të përfituar nga mundësitë që ofrohen në këtë hapësirë bashkëpunimi dhe zhvillimi. /Telegrafi/





































