Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me rastin e festës së Krishtlindjes ka përcjellë urimet për besimtarët dhe popullin e Kosovës.
Ai uroi që kjo festë e Kërshëndellave të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin e t’iu mundësojë të gjithëve të kenë më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim.
Imzot Gjergji foli edhe për eksponentët politikë për të cilët tha se nuk po arrijnë të bashkëpunojnë në të mirë të njerëzve e të vendit as në raste fatkeqësisht e lërë më të gjejnë rrugën e paqes e të pajtimit të përhershëm.
Lexoni të plotë urimin e Imzot Dodë Gjergjit:
“Të dashur vëllezër e motra, miq e dashamirë,
Është gjithnjë kënaqësi për mua të vij para jush, për t’ju drejtuar porosinë time të fundvitit, me rastin e festës së Kërshëndellave.
Këto ditë vërtet janë më të bukura, sesa ditët e tjera gjatë vitit. Pasi gjithandej dëgjojmë këngë, shkëmbejmë dhurata, shijojmë me ëndje ndriçimin e shesheve dhe zbukurimin e shtëpive tona. E gjithë kjo krijon një frymë festive, e cila shtrihet gjithkund gjatë muajit të dhjetorit, që ne e quajmë Koha e Ardhjes apo e Adventit. Edhe festa e Vitit të Ri që pason, i përafron në këtë festë të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe u mundëson atyre ta përjetojnë gëzimin e Kërshëndellave. Madje, disa edhe marrin pjesë aktive në kremtimin e kësaj feste.
Gjithë ky vështrim mbi festën e Krishtlindjes, i mbështetur në përmasat njerëzore, aq sa t’kapë syri, sa t’ndien veshi e sa t’merr mendja, nuk zgjat më shumë se deri në ditët e para të Vitit të Ri. Pastaj, fillon e venitet përsëri gjithçka: këngët e bukura të kërshëndellave nuk i dëgjojmë më nëpër qendrat tregtare, ndriçimi i shesheve hiqet e ne detyrohemi t’u kthehemi punëve të përditshme. Edhe nga ekranet televizive dhe mediat sociale hiqen këngët, vallet dhe humori, e përsëri spikatin lajmet për grabitjet e shtëpive ose thyerjen e ndonjë kishe apo xhamie; për humbjen e jetëve gjithandej në aksidentet rrugore; për vetëvrasjet ose vrasjet e pakuptimta. Kurse, në familje ringjallen problemet e vjetra, të cilave iu shtohet trishtimi, kur shohin llogarinë bankare ose kuletën e zbrazur.
Ta lëmë mënjanë përmasën njerëzore të përjetimit të Krishtlindjes e t’i kthehemi përmasës mesianike të saj, që është përmasa e vërtetë e festës dhe e kremtimit të Kërshëndellave. Pastaj, te përvoja që na dhurohet gjatë kremtimit të kësaj feste, brenda bashkësisë së krishterë dhe në gjirin e Kishës; pra, te përmasa shpirtërore që ajo bart në vete.
Për besimtarin, Kërshëndellat janë festa e gëzimit të madh, për dashurinë që Hyji i ka dhuruar botës, duke mishëruar Fjalën e Amshueme në kraharorin e Virgjërës Mari. Që është ndërmarrja më e madhe e Hyjit në përpjekjen e Tij të amshueshme për ta ripërtërirë veprën e vet më të përkryer, që jam unë e ti, vëlla dhe motër e dashur.
Kur ta besojmë këtë gjë, e kur të shohim se si Shpirti i Zotit, që na është dhuruar, na ka bërë më të dhimbshëm, më të mëshirshëm, më të butë, më bujarë, më besnikë, më të dashur, më paqedashës e më të përvuajtur, atëherë e falënderojmë Zotin për këto dhurata dhe kremtojmë me gëzim festën e Kërshëndellave. Kur këtë gëzim e bashkëndajmë me bashkësinë e të pagëzuarve, brenda Kishës, kremtimi i Kërshëndellave bëhet moment vëllazërimi, paqeje dhe lumturie, që na forcon t’i përballojmë me dashuri e me duresë vështirësitë e përmendura më lart. Sepse, ne, në Krishtin, kemi gjetur udhërrëfyesin e shtegtimit tonë në botë, mësuesin e jetës, shpërblyesin e mëkateve tona, ndërmjetësuesin që na pajton me Atin Qiellor, shpëtimtarin e vërtetë, ngadhënjyesin mbi vdekjen dhe Zotin e jetës. Kjo e bën të natyrshme lumturinë, gëzimin dhe këngën e Kishës, “Lavdi Hyjit në të lartin qiell e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë”.
Kërshëndellat, në thelbin e vet, bartin ftesën e Zotit për kthim kah Ai, kështu që ne, të cilët me sytë tanë arrijmë të shohim tërë botën, por jo fytyrën tonë, në shkëlqimin e dritës së Tij, e njohim bukurinë e shpirtit tonë.
Ftesa e Krishtit për kthim nuk është ofertë që të lëmë një gjë e të marrim diçka tjetër. Nuk është as kërkesë për me i râ mohit një religjioni e për të përqafuar një tjetër. Por, është një ftesë për ta konvertuar zemrën, në mënyrë që ajo të mbushet me dashuri e të jetë e aftë ta dojë njerëzimin, tokën dhe qiellin, si Zoti; është ftesë për ta konvertuar shpirtin në Shpirt të Zotit, që na bën më të mirë, më të dhimbshëm, më të mëshirshëm, më të butë, më të drejtë e më të shenjtë. Ky ndryshim na bën njerëz të rinj, që bartin në vete lajmin e mirë të shpëtimit; shndërrohemi në burim dashurie, bëhemi bartësit e paqes dhe dëshmitarët e Zotit.
Vëllezër e motra,
Po ta arrinim këtë nivel feje, këtë hapësirë dashurie dhe këtë mundësi shenjtërimi, atëherë të gjithë ne do të ishim më të shenjtë dhe jeta jonë më ndryshe. Kështu që, në mesin tonë, nuk do të kishim të varfër që këtë dimër jetojnë pa strehë; nuk do të kishim konflikte e mosmarrëveshje me njëri-tjetrin e as mes atyre që bartin përgjegjësi publike ose pushtet politik. Po ashtu, nuk do shihnim se si rrezikohet fati i popullit dhe si frenohet vullneti i qytetarëve, duke e zvarritur dialogun. Por, do t’i kishim tashmë institucionet e shtetit e do t’i shihnim duke iu shërbyer qytetarëve, duke bashkë-sakrifikuar për të mirën e vendit, duke punuar së bashku për përparimin e jetës së njerëzve dhe duke u përpjekur që të arrihet pajtimi mes popujve.
Nuk mund të mos i kujtoj, këto ditë, gjithë ata shpirtra që ua ndërpreu jetën tërmeti në Shqipëri. Ata të plagosur që ende lëngojnë nga plagët e marra, atë trishtim dhe ata lot të fëmijëve, të burrave e grave dhe të gjitha ato familje të mbetura pa strehë e pa shpresë në këto net dimri.
Në anën tjetër, dua t’i falënderoj dhe t’iu shpreh mirënjohje të gjithë njerëzve e institucioneve, që gjatë kësaj koha kanë ofruar shërbime të llojllojshme, kanë dhanë ose kanë grumbulluar ndihma dhe ata që kanë ofruar përgatitjen e tyre profesionale në përpjekje për t’u ndihmuar njerëzve. I nxisim të vazhdojnë të bëjnë edhe tutje të njëjtën gjë. Zoti e shpërbleftë veprën e të gjithë atyre që bëjnë mirë mbi tokë.
Megjithatë, nuk mund të mos theksoj edhe mangësitë që shfaqen rreth nesh, e që nuk janë të pakta. Por, më e pakuptueshmja ndër to është që eksponentët politikë, as në këto momente fatkeqësie, s’po arrijnë të bashkëpunojnë në të mirë të vendit e në dobi të njerëzve. E, lëre më të gjejnë rrugën e paqes e të pajtimit të përhershëm.
Mbi gjitha, është e çuditshme dhe e dhimbshme njëkohësisht që, gjithandej ku jetojnë shqiptarët, ndihet njëlloj mosbesimi kolektiv tek e ardhmja më e mirë. Dhe, vërehet qartë se si disa i frenojnë proceset që na shpien kah ky qëllim. E, në anën tjetër, nuk mungojnë edhe ata që me kryeneçësi duan të na shpien të gjithëve te fati që kanë paracaktuar për ne.
Kjo kohë bëhet edhe më e pakuptueshme, kur disa anëtarë të familjes evropiane, në vend që të na ndihmojmë të nxjerrim në pah identitetin tonë evropian, na gjykojnë për mbishtresat kulturore dhe na shtyjnë te iniciativa “hibride”, duke na konsideruar si një etnitet politik, ndryshe nga ta.
Nisur nga gjithë kjo që kemi përjetuar dhe kemi parë deri më tani, nxitemi edhe më tepër ta lusim Zotin për vendin(et) dhe për të ardhmen tonë, që kjo festë e Kërshëndellave të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin prej nesh e të na mundësojë të gjithëve të kemi më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Gashi uron Ditën e Alfabetit: E vlerësoj këtë festë dhe gjuhën shqipe si gurthemel të shoqërisë dhe diversitetit etnik
Kushtetuesja “lë” në arrest Berishën, Hoxha: Vendimi i pritshëm, nuk respektoi vendimin e gjykatës
Punëtoret teknike në Kuvend refuzojnë takimin me anëtarët e Komisionit për të drejtat e njeriut
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë
Në rastin "Kobra", babai i viktimës: Më ka ik fëmija në moshën më të mirë, arma nuk përdoret tek vëllezërit
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Tiranë, publikohen pamje të reja nga ekzekutimi i 28-vjeçarit
Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje